BallinaLAJMEMaqedoniJa sa marrin partitë nga shteti / BDI e para te shqiptarët...

Ja sa marrin partitë nga shteti / BDI e para te shqiptarët me gjysmë milioni euro në vit

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) është partia e parë në mesin e partive shqiptare për nga shuma e mjeteve të përfituara nga buxheti i shtetit për financimin e rregullt të partive politike gjatë vitit 2026. BDI-ja ka përfituar gjithsej 472 mijë euro, duke u renditur e treta në nivel shtetëror, pas VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së.

Sipas analizës së dokumentit për pagesat e këtij viti, të cilin BIRN e ka siguruar nga Ministria e Drejtësisë, VMRO-DPMNE-ja ka përfituar rreth 2.5 milionë euro, ndërsa LSDM-ja rreth 1 milion euro.

Pas BDI-së, në listën e partive shqiptare që përfitojnë mjete nga buxheti renditen BESA, Lëvizja Demokratike, Alternativa dhe Aleanca për Shqiptarët, me shuma që variojnë nga 220 deri në 245 mijë euro. Ndërkaq, Partia Demokratike e Turqve ka përfituar mbi 180 mijë euro.

Për vitin 2026, shteti ka ndarë gjithsej rreth 9 milionë euro për financimin e rregullt të partive politike. Sipas sistemit aktual, 30 për qind e mjeteve ndahen në mënyrë të barabartë për partitë dhe koalicionet që kanë fituar të paktën 1 për qind të votave në zgjedhjet e fundit, ndërsa 70 për qind ndahen në bazë të numrit të deputetëve dhe këshilltarëve të zgjedhur.

Krahasuar me vitin e kaluar, BDI-ja ka shënuar rënie prej rreth 40 për qind të mjeteve të përfituara. Në vitin 2025, kjo parti kishte arkëtuar rreth 840 mijë euro nga buxheti i shtetit.

Përveç financimit të rregullt, shteti mbulon edhe shpenzimet e fushatave zgjedhore, ndërsa katër partitë me rezultatet më të mira zgjedhore përfitojnë mjete shtesë për funksionimin e qendrave të tyre kërkimore. gjurmë.info/

Lajme te lidhura

spot_img