BallinaLAJMEMaqedoniKuvendi vazhdon sot seancën e 130-të, në rend dite pyetjet e deputetëve...

Kuvendi vazhdon sot seancën e 130-të, në rend dite pyetjet e deputetëve të opozitës

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut sot do të vazhdojë seancën e 130-të, në të cilën janë paraparë pyetjet e deputetëve të opozitës drejtuar përfaqësuesve të Qeverisë. Kjo pjesë e seancës ishte ndërprerë më 12 nëntor, pas kërkesave për pauzë nga deputetët e opozitës.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në një takim informues me gazetarët të hënën, sqaroi dilemat rreth mënyrës së llogaritjes së pauzave gjatë dy orëve të parapara për pyetjet e deputetëve.

Gashi tha se kishte interpretime të ndryshme të Rregullores së Kuvendit, veçanërisht nëse pauzat duhet të llogariten brenda kohës së caktuar për këtë procedurë.

Ai theksoi se, sipas interpretimit të deritanishëm, dy orët fillojnë të llogariten nga momenti i përcaktimit të rendit të ditës, ndërsa ministrat e planifikojnë praninë e tyre në Kuvend në bazë të këtij orari.

Megjithatë, pas kundërshtimeve të opozitës, sipas Gashit, është arritur një mirëkuptim me shumicën që në të ardhmen pauzat të mos llogariten brenda dy orëve të parapara për pyetjet e deputetëve. Ai shtoi se edhe opozita duhet të ketë kujdes me kërkesat për pauza, në mënyrë që të mos e shkurtojë vetë kohën e saj.

Përveç pyetjeve të deputetëve, në rend dite të seancës së 130-të janë edhe disa pika të tjera, përfshirë ndryshimet në Ligjin për privatizimin dhe dhënien me qira të tokës ndërtimore në pronësi shtetërore, zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit për Mbikëqyrje Qytetare, si dhe propozime për ndryshime në përbërjen e delegacioneve dhe komisioneve parlamentare.

Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu kandidaturën për anëtar të Komisionit Rregullator për Energjetikë, Shërbime të Ujit dhe Shërbime të Menaxhimit me Mbeturina Komunale, si dhe planin financiar të këtij institucioni për vitin 2027.

Në rend dite është edhe Rezoluta për politikën e migracionit të Maqedonisë së Veriut për periudhën 2026–2030, me planin përkatës të veprimit.

Seanca përfshin edhe disa propozim-ligje me procedurë të shkurtuar, ndër të cilat ndryshimet në Ligjin për Ndërtim dhe në Ligjin për Peshkatari dhe Akuakulturë, si dhe kërkesa për interpretime autentike të dispozitave ligjore që lidhen me planifikimin urbanistik dhe veprimtarinë e zjarrfikësve.

Lajme te lidhura

spot_img