BallinaLAJMEMaqedoniHoxha nga MEF 2026: Ballkani Perëndimor duhet ta udhëheqë së bashku tranzicionin...

Hoxha nga MEF 2026: Ballkani Perëndimor duhet ta udhëheqë së bashku tranzicionin e gjelbër

 Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, sot dërgoi një mesazh të fuqishëm për nevojën e forcimit të bashkëpunimit rajonal në përballjen me sfidat klimatike, gjatë fjalës së tij në panelin ministror “Rruga drejt COP31: Dialogu Ministror Ballkani Perëndimor–Turqi”, i mbajtur në kuadër të Forumit Energjetik të Maqedonisë (MEF) 2026.
Në panelin, i bashkëorganizuar nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, ku morën pjesë përfaqësues të lartë nga vendet e rajonit, Hoxha theksoi se ndryshimet klimatike, siguria energjetike dhe qëndrueshmëria ekonomike janë sfida që kërkojnë përgjigje të përbashkët dhe veprim të koordinuar.
“Asnjë shtet nuk mund të përballet i vetëm me rreziqet klimatike. Sistemet tona energjetike, infrastruktura dhe burimet natyrore janë të ndërlidhura, dhe kjo do të thotë se edhe zgjidhjet duhet t’i ndërtojmë së bashku. Bashkëpunimi rajonal nuk është zgjedhje, por parakusht për një tranzicion të suksesshëm dhe të drejtë”, theksoi Hoxha.
Ai nënvizoi se nisma “Road to COP31” hap një mundësi të rëndësishme që vendet e Ballkanit Perëndimor të paraqiten më të koordinuara, të forcojnë partneritetet dhe të sigurojnë qasje më të mirë në financimin klimatik dhe investimet e gjelbra.
Sipas ministrit, projektet e përbashkëta rajonale, shkëmbimi i ekspertizës dhe harmonizimi i politikave do të mundësojnë zbatim më të shpejtë të masave klimatike, ulje të kostove dhe rritje të qëndrueshmërisë energjetike të rajonit.
“Qëllimi ynë nuk është vetëm të ndjekim proceset globale, por të kontribuojmë në mënyrë aktive në formësimin e tyre. Ballkani Perëndimor ka potencialin të bëhet shembull i bashkëpunimit rajonal në fushën e klimës dhe zhvillimit të qëndrueshëm”, porositi Hoxha.
Forumi Energjetik i Maqedonisë 2026 po mbahet si ngjarje zyrtare partnere e nismës “Road to COP31” dhe përfaqëson një nga platformat kryesore rajonale për dialog mbi politikat klimatike, tranzicionin energjetik dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Lajme te lidhura

spot_img