Kiro Gligorov, ka merita historike për atë që shteti e fitoi pavarësinë e vet me rrugë paqësore, pa luftë, viktima dhe shkatërrime, porositi kreu i LSDM-së, Venko Filipçe në solemnitetin me rastin e 35 viteve pavarësi, në organizim të LSDM-së, “Maqedonia është gjithçka që kemi” ku premierë u shfaq filmi dokumentar “Gligorovi nga Maqedonia”, vepër e Nikolla T. Kallajxhiskit dhe Aristid Fillaktov, kushtuar presidentit të parë të Maqedonisë së pavarur.
Filipçe theksoi se roli historik i Gligorovit, posaçërisht në një prej periudhave më të vështira të Ballkanit, ende nuk është vlerësuar mjaftueshëm në atdheun e tij.
“Çfarë bëmë me shtetin që e fituam 35 vjet më parë me rrugë paqësore pa viktima dhe pa shkatërrime, për çka merita historike ka presidenti ynë Kiro Gligorov. Për të pasur shtetin tonë të pavarur në mënyrë paqësore, pas luftërave të tmerrshme dhe shpërbërjes së përgjakshme të Jugosllavisë që preku të gjitha republikat, merita e tij ende nuk vlerësohet në atdheun e tij siç vlerësohet nga bota”, tha Filipçe.
Gligorovi, theksoi, i takoi një gjenerate të shtetformuesve maqedonas të cilët morën pjesë në krijimin e themeleve të shtetit bashkëkohor të Maqedonisë, e më pas e udhëhoqi vendin në procesin e pavarësimit.
Madhësia e Gligorovit, shtoi, shihet mu në aftësinë e tij për ta ruajtur Maqedoninë nga lufta e cila kishte marrë flakë në rajon.
Përkujtoi se në periudhën kur rajoni kishte marrë flakë nga luftërat, Maqedonia arriti ta tejkalojë pjesën më të rrezikshme nga shpërbërja e Jugosllavisë pa luftë në territorin e vet.
Të gjithë e dimë dhe pamë, potencoi, se lufta lë pas vetes viktima, rrënoja, vuajtje të gjata dhe varfëri. “Paqja lë njerëz gjallë të cilët mëngjesin e ardhshëm shkojnë në punë, fëmijë që shkojnë në shkollë dhe qytete që nuk duhet të ndërtohen sërish. Kjo është një ndër fitoret më të mëdha, ndërkaq më pak spektakolare në historinë më të re të Maqedonisë”, theksoi Filipçe.
Shtoi se thelbi i politikës shtetformuese të Gligorovit ishte njeriu dhe ruajtja e shtetit.
Kreu i LSDM-së foli edhe për njohjen ndërkombëtare të Maqedonisë dhe pranimin në Kombet e Bashkuara, duke vëerësuar se Gligorovi ka ditur të sjellë vendime të rënda kur këtë e ka kërkuar interesi më i lartë shtetëror.
Porositi se koha gjithnjë e më qartë e konfirmon madhësinë historike të presidentit të parë të Maqedonisë së pavarur.



