Zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai në intervistën për Alsat-M, ka folur edhe për rikonstruimin eventual të qeverisë që është përfolur këtyre ditëve, ku bën pjesë edhe VLEN.
Se a do jetë Bekim Sali zëvendëskryeministër i parë, ai shton se këto gjëra janë definuar në kuadër të koalicionit VLEN para hyrjes në fushatën e zgjedhjeve lokale.
“Kryeministri pati disa deklarata, kështu që të mërkurën në mbrëmje do kemi takim si lidership i VLEN me kryeministrin për t’i hekurosur këto çështje. Është dakordim i VLEN që zëvendëskryeministër i parë të jetë Bekim Sali, njashtu është e vërtetë se ministria e Ekologjisë i takon LD-së në kuadër të ndarjes që kemi si koalicion dhe integrimi evropian i takon Alternativës”, ka thënë Fetai në pyetjen rreth rokadave të mundshme brenda qeverisë.
Largimi i Taravarit i solli VLEN-it 20 mijë vota plus
Ai ka folur edhe për zgjedhjet lokale dhe impaktin e asaj që solli largimi i Arben Taravarit nga koalicioni VLEN.
“Impakti i largimit të Arben Taravarit në VLEN ka qenë minus 10 mijë vota krahasuar me zgjedhjet parlamentare, ndërsa impakti i tij në AKI krahasuar me zgjedhjet parlamentare ishte minus 30 mijë. Pra impakti i largimit të tij nga VLEN drejt AKI është plus 20 mijë vota për VLEN dhe është meritë e gjithë strukturave të Aleancës për Shqiptarët që kontribuuan në fitoren e shumicës dërmuese të komunave tona”, ka thënë Fetai.
Kur jemi bashkë e fitojmë opozitën
Sipas tij, çështja e liderit brenda VLEN është çështja më e parëndësishme dhe se më e rëndësishme është të ketë vullnet siç thotë, “të dakordojmë modalitete se çfarë formë duhet të ndërmarrë ky koalicion që shkojnë drejt unifikimit”.
“Jemi të qëndrimit që VLEN duhet të shkojë drejt unifikimit, këtë e do votuesi shqiptarë dhe u dëshmua se vetëm kur jemi bashkë e fitojmë opozitën, kemi filluar diskutimet rreth mënyrës dhe formës dhe procesit që duhet të prodhojë këtë unifikim të koalicionit VLEN”, ka thënë Fetai.



