Kryetari i Lëvizjes Demokratike dhe Kryetari i Komunës së Çairit Izet Mexhiti, ka reaguar përmes një statusi në Facebook lidhur me zhvillimet politike në Serbi, duke vlerësuar se ndryshimi politik dhe bashkëpunimi janë thelbësorë për të ardhmen e rajonit.
Mexhiti ka kritikuar modelin e qeverisjes së Aleksandar Vuçiqit, duke e lidhur atë me kontrollin mbi institucionet, presionin ndaj kundërshtarëve politikë dhe ndikimin mbi mediat.
Sipas tij, zhvillimet politike në Serbi mund të hapin rrugën për një qasje të re ndaj bashkëpunimit rajonal, të bazuar në partneritet, reciprocitet dhe barazi mes shteteve sovrane.
Ai ka shprehur gjithashtu kritika ndaj nismës “Ballkani i Hapur”, duke theksuar se bashkëpunimi rajonal nuk duhet të shndërrohet në instrument të dominimit të një shteti ndaj të tjerëve.
Në reagimin e tij, Mexhiti është ndalur edhe te shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke vlerësuar bashkimin dhe bashkëpunimin e forcave politike shqiptare, të cilat, sipas tij, mundësuan sigurimin e të paktën dy mandateve në parlamentin e ri.
“Bashkimi i forcave, bashkëpunimi dhe veprimi i përbashkët”, është mesazhi që Mexhiti përcjell në fund të reagimit të tij.



