BallinaLAJMEMaqedoniBDI: Emërim i paligjshëm në RTVM, kapje brutale i televizionit publik

BDI: Emërim i paligjshëm në RTVM, kapje brutale i televizionit publik

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Këshillit Programor të Radio Televizionit të Maqedonisë (RTVM) për emërimin e zëvendësdrejtorit të institucionit, duke e cilësuar atë si të paligjshëm dhe në kundërshtim me ligjet në fuqi dhe standardet profesionale.

Në reagimin e saj, BDI vlerëson se bëhet fjalë për një rast të qartë të politizimit të mediumit publik dhe kapjes së institucionit nga pushteti.

“Bashkimi Demokratik për Integrim dënon ashpër vendimin skandaloz të Këshillit Programor të Radio Televizionit të Maqedonisë për emërimin e zëvendësdrejtorit, në kundërshtim flagrant me ligjet dhe çdo standard profesional. Ky nuk është vetëm një gabim procedural – është një akt i pastër kapjeje politike të një institucioni publik që financohet nga të gjithë qytetarët. Emërimi i një personi që nuk i plotëson kushtet elementare ligjore për përvojë pune dhe menaxheriale përbën shkelje të drejtpërdrejtë të ligjeve në fuqi dhe degradim të rëndë të profesionalizmit në media publike”, thuhet në reagim.

BDI thekson se dispozitat ligjore janë të qarta sa i përket kritereve që duhet të plotësojë kandidati për këtë funksion dhe akuzon se ato janë anashkaluar qëllimisht.

“Ligji i Agjencisë për Shërbime Audio dhe Audivizuele dhe Ligji për Nëpunës Administrativ janë të qartë: përvoja e punës llogaritet vetëm pas përfundimit të arsimit përkatës dhe në pozicione që kërkojnë atë nivel arsimor. Po aq e qartë është edhe kërkesa për minimum tetë vite përvojë profesionale dhe katër vite në pozitë udhëheqëse. Në këtë rast, këto kushte janë injoruar në mënyrë të qëllimshme”. Sipas partisë, personi i emëruar nuk i plotëson kriteret ligjore për pozitën e zëvendësdrejtorit, ndërsa theksohet se ai nuk ka përvojë në gazetari.

“Zëvendësdrejtori i emëruar nga anëtarët e VMRO-DPMNE dhe VLEN në Këshillin Programor provimin e parë në arsimin e lartë e ka dhënë në vitin 2020, ndërsa ka diplomuar katër vite më pas, në 2024. Përvojë pune me më shumë vite, drejtori i emëruar ka në tregti me tekstil, ndërkohë që as edhe një ditë punë në gazetari.”

Në reagim, BDI paralajmëron se ky vendim krijon një precedent të rrezikshëm dhe e largon RTVM-në nga misioni i saj si medium publik. “BDI vlerëson se ky vendim përbën precedent të rrezikshëm dhe sinjal alarmi për politizimin e plotë të mediave publike. RTVM po shndërrohet në vegël partiake, duke humbur funksionin e saj si shërbim publik i pavarur.”

Partia opozitare ngre edhe një pyetje lidhur me ndryshimin e rrethanave në një periudhë të shkurtër kohore. “Pyetja që kërkon përgjigje urgjente është: Si mundet që një kandidat para një muaji të mos i plotësonte kushtet me çka edhe u anulua konkursi, sot i njëjti person t’i plotësojë kushtet?”.

BDI kërkon nga institucionet kompetente të ndërmarrin veprime të menjëhershme për shqyrtimin e ligjshmërisë së emërimit.

“Kërkojmë nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit që menjëherë të hapë procedurë dhe të anulojë këtë emërim të paligjshëm. Njëkohësisht, i bëjmë thirrje Prokurorisë që të veprojë pa vonesë për të hetuar përgjegjësinë penale të anëtarëve të Këshillit Programor.”

Po ashtu, partia u ka bërë thirrje organizatave profesionale të medias dhe faktorëve ndërkombëtarë që të reagojnë ndaj, siç e quan ajo, politizimit të mediumit publik. “U bëjmë thirrje edhe Shoqatës sëGazetarëve të Maqedonisë, Këshillit të Etikës në Media dhe faktorëve ndërkombëtarë që të reagojnë fuqishëm ndaj këtij politizimi të hapur.”

Në fund të reagimit, BDI thekson se institucionet publike nuk duhet të shndërrohen në pronë të partive politike. “Kapja e institucioneve nuk do të kalojë pa përgjegjësi. RTVM nuk është pronë e asnjë partie – është e qytetarëve”, përfundon reagimi i BDI-së.

Lajme te lidhura

spot_img