Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, ka drejtuar një apel serioz për kujdes maksimal nga qytetarët, duke paralajmëruar se vendi po hyn në një periudhë me rrezik jashtëzakonisht të lartë nga zjarret, si pasojë e valës së nxehtësisë që pritet.
Sipas Angellovit, gjatë muajit korrik janë regjistruar mesatarisht rreth 15 zjarre në ditë, por falë ndërhyrjes së shpejtë të zjarrfikësve dhe mbështetjes nga aerotraktorët e Drejtorisë, të gjitha zjarret janë lokalizuar dhe shuar me sukses.
Ai theksoi se reshjet lokale të ditëve të fundit kanë kontribuar në uljen e numrit të zjarreve dhe kanë lehtësuar shuarjen e tyre, por paralajmëroi se periudha me shi ka përfunduar, ndërsa temperaturat e larta, lagështia e ulët dhe era e paqëndrueshme krijojnë kushte për përhapje të shpejtë të zjarreve.
“Mjafton vetëm një shkëndijë që të shpërthejë zjarr katastrofal”, paralajmëron Angellov.
Ai nënvizoi se pjesa më e madhe e zjarreve në hapësirë të hapur shkaktohen pa qëllim dhe u bëri thirrje qytetarëve:
të mos hedhin bishta cigareje, sidomos nga automjetet në lëvizje;
të mos ndezin zjarr apo skarë në natyrë dhe në pyje;
të pastrojnë oborret dhe shtëpitë e pushimit nga barishtet e thata dhe shkurret;
të krijojnë një brez mbrojtës me dhe rreth objekteve.
Apel u drejtua edhe për:
bujqit – të mos djegin mbeturinat e arave;
blegtorët – të mos djegin kullotat;
punëtorët – të jenë të kujdesshëm me mjetet që krijojnë shkëndija;
përdoruesit e pajisjeve me gaz për largimin e shpendëve, të cilat mund të shkaktojnë zjarr.
Angellov kërkoi që qytetarët të raportojnë menjëherë në 112 ose në stacionin më të afërt të policisë çdo sjellje të dyshimtë, si persona që mbajnë lëndë të ndezshme, fenerë, fishekzjarrë, petarda të mëdha apo goma makinash në zona malore.
“Çdokush që shkakton zjarr duhet të përgjigjet dhe të përfundojë në burg. Bëhuni të kujdesshëm – mjafton një shkëndijë për një tragjedi të rëndë”, porosit Angellov.



