Pesë persona janë vënë nën hetim pas një operacioni të gjerë të zhvilluar dje në Shkup nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare (ASK) dhe Ministria e Brendshme (MPB), në kuadër të një procedure para-hetimore për veprën penale “organizatë terroriste”. Gjatë kontrolleve në disa lokacione, autoritetet konfiskuan pajisje dixhitale dhe mjete të tjera elektronike.
Ministria e Brendshme njoftoi se Sektori për Luftën kundër Terrorizmit, Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit, që funksionon në kuadër të Departamentit për Shtypjen e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë, ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike për ndjekjen penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit ndaj J.K. (30), J.M. (22), M.T. (23), R.K. (23) dhe G.M. (34). Ata dyshohen për veprën penale “organizatë terroriste”, sipas nenit 394-a të Kodit Penal.
Sipas MPB-së, këto veprime u ndërmorën mbi bazën e njohurive dhe informacioneve të siguruara më herët nga partnerë strategjikë ndërkombëtarë, në koordinim me Agjencinë e Sigurisë Kombëtare dhe nën drejtimin e prokurorisë kompetente. Qëllimi ishte identifikimi i administratorëve dhe anëtarëve të aplikacioneve në internet që nxitën formimin e një organizate terroriste.
Nga hetimi është konstatuar se i dyshuari i parë, J.K., në fund të vitit 2024 kishte krijuar një kanal në internet dhe një grup ku bënin pjesë edhe të dyshuarit e tjerë. Më tej, gjatë viteve 2025 dhe 2026, ata kanë vepruar si organizatë terroriste duke shpërndarë propagandë dhe materiale xhihadiste, me synim indoktrinimin ideologjik dhe lavdërimin e terroristëve të lidhur me “Shtetin Islamik”.
Agjencia e Sigurisë Kombëtare bëri të ditur se të dyshuarit kishin vendosur lidhje me mediat dhe kanalet propagandistike të kësaj organizate terroriste, ndërsa angazhoheshin edhe për ngritjen e një rrjeti lokal për përhapjen e narrativave të dhunshme dhe ekstreme, me synimin për të nxitur aktivitete terroriste në vend.
Sipas të njëjtave informacione, anëtarët e grupit kanë ofruar edhe mbështetje logjistike për persona që më herët kishin qenë të përfshirë në aktivitete kundër terrorizmit. Një pjesë e të dyshuarve, ndërkohë, tashmë po vuajnë dënime me burg ose ndodhen në paraburgim për vepra të lidhura me terrorizmin.
ASK theksoi se këto aktivitete janë zhvilluar për të mundësuar zbulimin dhe pengimin në kohë të kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare, si dhe për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe të qytetarëve.



