Për të 50-tën herë me radhë ka dështuar përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Edhe pse të hënën u mblodhën deputetët e zgjedhur për të vazhduar procedurat paszgjedhore, mungesa e konsensusit politik e bllokoi edhe njëherë procesin.
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, i bëri sërish thirrje partive parlamentare që ende nuk i kanë dorëzuar propozimet për anëtarët e Komisionit Zgjedhor, që do të mundësonte zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Por, as kësaj radhe nuk pati ndonjë propozim.
Në sallë ishin të pranishëm 53 deputetë, të cilët votuan “pro” vazhdimit të procesit, pa asnjë votë kundër apo abstenim. Megjithatë, pa një komision funksional, procesi nuk mund të ecë përpara.
Seanca u ndërpre nga kryesuesi Dehari, i cili njoftoi se përpjekja e radhës – e 51-ta me radhë – do të mbahet të mërkurën më 23 korrik, në orën 11:00.
Kosova po hyn në muajin e gjashtë të bllokadës institucionale, ndërsa kriza për formimin e institucioneve të reja vazhdon të thellohet.



