BallinaLAJMEKosovëAvokati kosovar heq flokët në shenjë proteste me moskonstituimin e Kuvendit

Avokati kosovar heq flokët në shenjë proteste me moskonstituimin e Kuvendit

Avokati kosovar, Arianit Koci, ka qethur flokët me makinë para hyrjes së Kuvendit të Kosovës, në shenjë pakënaqësie me zvarritjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, transmeton Anadolu.

Koci, i ulur në një karrige prej druri hoqi flokët me makinë në praninë e mediave, përballë derës nga ku futen deputetët e Kuvendit.

Ai tha se heqja e flokëve do të thotë se është bërë mjaft më me përpjekje të dështuara për konstituimin e institucionit legjislativ.

“Kjo është e tepërt. Po na rrezikohet edhe shtetësia e Kosovës. Miqtë dhe armiqtë tanë po binden se ne nuk jemi të aftë të mbajmë një shtet. Tashmë kjo nuk është politikë, por është në kategorinë e parapolitikës. Andaj, unë kërkoj që menjëherë sot të formohet Kuvendi. Kjo protestë nuk është vetëm për politikanë dhe deputetë, por për gjithë popullin që është në gjumë dhe ka rënë në depresion të thellë”, tha Koci.

Ai shtoi se pa Kuvend nuk ka demokraci, pa Kuvend nuk ka zhvillim ekonomik dhe social dhe pa Kuvend nuk ka as shtet.

Avokati kosovar e mbajti protestën në prag të dështimit të 50-të me radhë të deputetëve për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar se sot do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për hapat e mëtejshëm drejt formimit të institucioneve.

Lajme te lidhura

spot_img