Bashkimi Evropian sot në mëngjes e ka miratuar paketën e 19-të të sanksioneve kundër Rusisë, të orientuar drejt “flotës në hije” dhe sektorin bankar dhe energjetik rus, tha kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Koshta, pas mbërritjes së tij në Samitin e sotëm të BE-së në Bruksel.
“Këshilli Evropian sot do të marrë një vendim politik për të siguruar nevojat financiare të Ukrainës për vitin 2026 dhe 2027, përfshirë edhe për prokurimin e pajisjeve ushtarake”, tha Koshta, i shoqëruar nga presidenti ukrainas Volodimir Zelenski.
Koshta theksoi se një vendim i tillë përfaqëson një mesazh shumë të qartë për Rusinë se BE-ja do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme, duke theksuar se është i nderuar që Zelenski është gjithashtu i pranishëm në Samit, si president i, siç tha ai, një shteti-anëtar të ardhshëm të Unionit.
Sipas Koshtës, sot është e qartë se iniciativa e presidentit Amerikan, Donald Tramp, e cila ngjalli pritshmëri të mëdha, nuk është pritur me vullnet të mirë nga presidenti rus Vladimir Putin, dhe Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj civilëve dhe objekteve civile ukrainase, prandaj BE-ja duhet të vazhdojë të mbështesë Ukrainën në luftën e saj për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.
“Mesazhi për Rusinë është i qartë. Ne nuk jemi të lodhur dhe do të vazhdojmë ta mbështesim atë politikisht, ushtarakisht dhe financiarisht. Rusia duhet të kuptojë se duhet të ndalojë vrasjen e civilëve dhe shkatërrimin e infrastrukturës civile në Ukrainë. Ajo duhet të ndalojë luftën dhe duhet të pranojë përpjekjet diplomatike për negociata paqeje. Është e qartë për të gjithë se presidenti Zelenski pranon armëpushim dhe negociata, tani edhe Rusia duhet ta pranojë atë”, shtoi Koshta.
Zelenski, nga ana e tij, falënderoi për miratimin e paketës së 19-të të sanksioneve kundër Rusisë, duke theksuar se është jashtëzakonisht e rëndësishme për Ukrainën dhe vjen pas vendimit të rampit dje për sanksionet energjetike kundër Moskës.
“Rusia tregon se nuk dëshiron të ndalojë luftën dhe vazhdon të sulmojë kopshtet, shkollat dhe civilët. Kjo do të thotë që ne jo vetëm duhet të mbrohemi, por gjithashtu, së bashku me BE-në dhe SHBA-në, të rrisim presionin për të ndaluar këtë luftë”, tha Zelenski.
Ai theksoi se një armëpushim në Ukrainë është i mundur, por për ta arritur këtë, nevojitet më shumë presion ndaj Rusisë, duke shtuar se Kievi nuk do të pranojë lëshime territoriale në këmbim të përfundimit të luftës.



