Në Sofje të Bullgarisë janë zhvilluar punimet e Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), një takim rajonal i nivelit të lartë që këtë vit shënoi edhe 30-vjetorin e themelimit të këtij formati bashkëpunimi. Në këtë samit, liderët e vendeve të rajonit diskutuan për të ardhmen e Evropës Juglindore, me fokus të veçantë në integrimin evropian, sigurinë, energjinë dhe forcimin e demokracisë.
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, në një intervistë për RTK, tha se Kosova e ka mirëpritur këtë samit dhe ka vlerësuar organizimin e tij nga Bullgaria.
“Së pari, Republika e Kosovës e ka mirëpritur këtë samit. Unë kam falënderuar Presidenten e Bullgarisë për ftesën që na ka bërë, por edhe për organizimin e këtij samiti të rëndësishëm”, u shpreh Haxhiu.
Ajo rikujtoi se pikërisht në Sofje, tre dekada më parë, kishte nisur ky proces bashkëpunimi rajonal. “Këtu, para 30 viteve, në Sofje ka nisur procesi i bashkëpunimit të Evropës Juglindore”, theksoi ajo.
Sipas Haxhiut, diskutimet në samit kanë përfshirë një gamë të gjerë temash me interes për rajonin dhe Kosovën. “Kishim diskutime në raport me procesin e integrimit evropian, në raport me energjinë, me demokracinë, me reformat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, për sigurinë, për paqen dhe për shumë tema të tjera që janë me interes për Republikën e Kosovës”, deklaroi ajo.
Duke folur për rolin e Kosovës në këto procese, Haxhiu tha se ka paraqitur qëndrimet e vendit në çështjet kyçe, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe integrimit evropian. “Unë paraqita qëndrimin e Republikës së Kosovës në raport me çështjet e sigurisë, por edhe rëndësinë e interesimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian”, tha ajo.
Haxhiu theksoi se Kosova ka bërë përparime të rëndësishme në reforma dhe mbetet e përkushtuar ndaj agjendës evropiane. “Theksova që Republika e Kosovës ka bërë reforma të rëndësishme dhe po punon që t’i shtyjë përpara interesat e qytetarëve të Kosovës në shumë fusha”, u shpreh ajo.
Ajo shtoi se Kosova është e rreshtuar me politikat e Bashkimit Evropian dhe e gatshme të përmbushë detyrimet që dalin nga procesi integrues.
“Theksova se Republika e Kosovës është në linjë me politikat e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian. Po ashtu, shpreha përkushtimin tonë që do të angazhohemi t’i adresojmë të gjitha përgjegjësitë që kemi në këtë proces”, deklaroi Haxhiu.
Në fund, ajo kërkoi që Bashkimi Evropian të ndërmarrë hapa konkretë ndaj Kosovës, duke i dhënë statusin e vendit kandidat. “Pas tre viteve që kemi aplikuar në Pragë për statusin e vendit kandidat, kërkova që të na jepet ky status dhe të hapen negociatat me Bashkimin Evropian”, tha presidentja Haxhiu.



