Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, e përfundoi vizitën zyrtare në Azerbejxhan me takimin me ministrin e Ekonomisë, Mikail Xhabarov.
Në takim, siç informoi shërbimi për shtyp i qeverisë, Gashi theksoi se Maqedonia e Veriut dhe Azerbajxhani kanë marrëdhënie të mira dhe miqësore, që mund të jenë bazë për avancimin e bashkëpunimit, veçanërisht në pjesën e ekonomisë.
Ai informoi se Qeveria i kushton vëmendje të veçantë tregtisë së jashtme, me qëllim promovimin e tregtisë me vendet me të cilat deri më tani kemi pasur shkëmbim të vogël tregtar.
Ministri Xhabarov theksoi se ka shumë mundësi për bashkëpunim të ndërsjellë, si në pjesën e energjetikës ashtu edhe në fusha të tjera ekonomike
Të dy bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e avancimit të marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha nivelet, me qëllim sigurimin e një bashkëpunimi më të madh.



