Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, në kuadër të vizitës zyrtare në Vatikan, ku udhëheq delegacionin shtetëror të vendit, zhvilloi një takim me Kreun e Selisë së Shenjtë, Papa Leoni XIV.
Gjatë takimit, Gashi i përcolli urimet e tij Papës me rastin e përvjetorit të zgjedhjes në krye të Kishës Katolike, ndërsa bashkëbiseduesit diskutuan për rëndësinë e dialogut, mirëkuptimit dhe ndërtimit të urave të bashkëpunimit ndërmjet popujve dhe kulturave të ndryshme.
Sipas njoftimit të kryeparlamentarit, në takim u riafirmuan marrëdhëniet tradicionale dhe miqësore ndërmjet Maqedonia e Veriut dhe Selia e Shenjtë, si dhe u theksua përkushtimi i vendit ndaj bashkëjetesës ndëretnike, multikulturore dhe ndërfetare, si vlera që kontribuojnë në stabilitetin dhe solidaritetin rajonal.
Gashi vuri në pah se Maqedonia e Veriut vazhdon të promovojë dialogun dhe respektin e ndërsjellë si parime themelore të shoqërisë demokratike, duke e konsideruar diversitetin si një pasuri të rëndësishme për zhvillimin dhe bashkëpunimin mes komuniteteve.
Në fokus të bisedës ishte edhe trashëgimia shpirtërore dhe kulturore e Shën Kirili dhe Shën Metodi, si dhe humanizmi i Nënë Tereza, të cilët, sipas bashkëbiseduesve, mbeten ura lidhëse mes popujve dhe frymëzim i përhershëm për promovimin e vlerave universale njerëzore.
Takimi u zhvillua në frymën e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe konfirmoi gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Selisë së Shenjtë.



