BallinaLAJMEFilipçe: Fund i epokës në të cilën Budapesti ishte strehë e kriminelëve...

Filipçe: Fund i epokës në të cilën Budapesti ishte strehë e kriminelëve të korruptuar të dënuar, a është parashtruar kërkesë për ekstradim të Nikolla Gruevskit

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe sot në konferencë për media përsëriti se fitorja historike në Hungari dërgon porosi të qartë në gjithë rajonin, se koha e autokratëve po përfundon. Ai vlerësoi se ky është fundi përfundimtar i epokës në të cilën Budapesti ishte “strehë e sigurt për të gjithë kriminelët e korruptuar të dënuar” dhe pyeti se a do të parashtrohet kërkesë për ekstradim të Nikolla Gruevskit.

“Kjo është fitore historike për Evropën mbi ndikimin rus dhe kinez, dhe për sundimin e ligjit mbi korrupsionin. Fitorja historike në Hungari i dërgon porosi të qartë të gjithë rajonit se koha e autokratëve po mbaron. Tjetra është Serbia, dhe pas saj Mickoski. Rajoni i përket Evropës, jo Rusisë. Koha e drejtësisë dhe përgjegjësisë po vjen”, tha Filipçe.

Sipas tij, kjo është me rëndësi për Maqedoninë, sepse “Qeveria e Hristijan Mickoskit i vendosi interesat strategjike të Maqedonisë në duart e Orbanit”.

“Ai nuk i la në duart e Hungarisë, nuk i la në të mirë të Maqedonisë – i la në duart e biznesmenëve, njerëzve të afërt me njeriun që nuk është më në pushtet, dhe jo për të mirën e shtetit, por për interesat e tij personale. Telekomunikacioni, energjia, media, financat – gjithçka ishte e lidhur me rrethin e Orbanit”, vlerësoi ai.

Sipas tij, vendi tashmë disa vite është në terr mediatik për shkak të mediave të kontrolluara nga Orbani me të cilat drejtpërdrejt menaxhon VMRO.

“Mjeti politik i Mickoskit për lajme të rreme, afera të sajuara, sulme 24 orë në ditë kundër LSDM-së dhe meje personalisht. Dhe ndërsa ne paralajmëronim se regjimi i Orbanit do të binte, VMRO-ja po e intensifikonte në mënyrë paniku fushatën e zezë, duke u përpjekur të shpërqendronte dhe të zhvendoste vëmendjen e publikut. Sot, kur Orbani tashmë ka rënë, paniku i VMRO-së është i dukshëm. Mediat nën kontrollin e tyre tashmë kanë filluar ta zvogëlojnë rëndësinë e fitores së qeverisë së re demokratike në Hungari”, tha ai.

Ai vlerësoi edhe se pasi VMRO dhe Mickoski janë në pushtet, Orbani e ka shfrytëzuar Maqedoninë si “koloni të tijën private për interesa politike dhe financiare – nga perandoria mediatike, telekomunikimet, energjetika dhe infrastruktura, kredi…

“Kur Orbani të bjerë, të gjitha këto marrëveshje të fshehta dhe interesa biznesi do të dalin në dritë. Tani Mickoski do të duhet të gjejë mënyrë tjetër për të financuar mediat e tij për të përhapur fushatë të rreme dhe ndoshta do të përdorë paratë që do t’i nxjerrë nga kompanitë e tij të ngushta nga buxheti, praktikisht nga paratë e qytetarëve, tha Filipçe.

Ai tha se marrëveshjet duhet të hetohen plotësisht. “Qytetarët e Maqedonisë duhet të dinë se kush qëndron saktësisht pas mediave, telekomunikacionit, kredive, infrastrukturës… dhe të gjitha vendimeve që merren në emër të tyre. LSDM do të kërkojë hetim të plotë të të gjitha kombinimeve të biznesit midis Orban dhe Mickoskit. Ekipi antikorrupsion i partisë tashmë po punon intensivisht për të zbuluar të gjitha veprimet kriminale dhe korruptive të regjimit, koalicionit të tenderit, së bashku me ZNAM, të kryesuar nga Hristijan Mickoski”, theksoi Filipçe.

Kryetari i LSDM-së pyeti se çfarë do të bëjë tani Nikolla Gruevski. “Lind edhe pyetja, çfarë do të bëjë tani Nikolla Gruevski, i arratisuri i dënuar dhe simbol i korrupsionit dhe keqpërdorimit me pushtetin, kur nuk ka më mbrojtës në Budapest. A do të ikë diku tjetër, në Rusi apo në ndonjë vend tjetër? Apo do të kthehet këtu për të vuajtur dënimin e tij? E mirëpres porosinë e qartë dhe të padiskutueshme të kryeministrit të ri hungarez Peter Magjar nga konferenca e djeshme për media – qeveria e re hungareze nuk do t’u ofrojë më strehim njerëzve që ikin nga drejtësia. Magjari deklaroi shprehimisht se do t’i ekstradojë ata që fshihen në territorin e saj dhe e etiketoi drejtpërdrejt Nikolla Gruevskin si kriminel”, tha ai.

Duke përkujtuar se ZNAM tashmë e ka uruar fitoren e kryeministrit të ri hungarez, ai pyeti se a ka parashtruar kjo qeveri deri më tani kërkesë për ekstradim të Nikolla Gruvskit, dhe nëse nuk ka – pse nuk ka dhe a do të parashtrojnë kërkesë për ekstradimin e tij në vend?

“Drejtësia sado që të vonojë, në fund gjithnjë arrin. Është koha për drejtësi, është koha për Evropë”, përfundoi Filipçe. 

Lajme te lidhura

spot_img