Me një akt simbolik të nënshkrimit të tubave të gazsjellësit nga përfaqësues të Qeverisë, partnerëve ndërkombëtarë dhe institucioneve të përfshira në realizim, u shënua fillimi i ndërtimit të interkonektorit të gazit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë – një projekt strategjik energjetik me të cilin vendi fiton një drejtim të ri për sigurimin e furnizimit të sigurt, stabil, të diversifikuar dhe të qëndrueshëm mjedisor me gaz natyror, i cili ka rëndësi thelbësore për të ardhmen energjetike të vendit dhe të rajonit.
Ngjarja u mbajt pranë Negotinës dhe Demir Kapisë, në vendndodhjen e trasës nga ku fillon ndërtimi i pjesës maqedonase të interkonektorit, në organizim të NOMAGAS SHA Shkup – ndërmarrja shtetërore që menaxhon me sistemin kombëtar të gazsjellësit.
Drejtori i NOMAGAS, Muhamed Elmazi, theksoi se me ndërtimin e interkonektorit, shteti po hyn në një epokë të re energjetike – konkurruese, të qëndrueshme dhe të lidhur me tregun energjetik rajonal dhe evropian. “Ky projekt do të mundësojë një balancim më efikas të ofertës dhe kërkesës për gaz natyror, do të përmirësojë konkurrencën në treg dhe do të krijojë një sistem më fleksibël që do të jetë i gatshëm të përballet me sfidat e ardhshme energjetike. Projekti është teknologjikisht në përputhje me standardet evropiane dhe agjendën për transformim energjetik dhe do të mundësojë transport të energjive të gjelbra si hidrogjeni, gjë që na afron edhe një hap më pranë një të ardhmeje energjetike të qëndrueshme”, tha Elmazi.
Fillimi i ndërtimit të interkonektorit u mbështet nga shumë partnerë ndërkombëtarë dhe diplomatë, duke konfirmuar edhe një herë rëndësinë e projektit.
Ndërtimi do të realizohet nga kompania vendase Rapid Build DOO, e cila tashmë është e përgatitur me staf të kualifikuar dhe pajisje teknike. Kjo gjithashtu konfirmon kapacitetin e sektorit ndërtimor maqedonas për të realizuar projekte infrastrukturore komplekse sipas standardeve evropiane. Punimet ndërtimore në trasë fillojnë menjëherë dhe pritet të përfundojnë për 22 muaj, që do të thotë se interkonektori duhet të jetë tërësisht funksional gjatë vitit 2027.



