Qytetarët e Maqedonisë së Veriut që gjatë vitit 2025 kanë pranuar pagë ose ndonjë lloj tjetër të ardhure nga jashtë vendit, kanë afat deri më 31 mars të këtij viti që të dorëzojnë llogaritjen elektronike dhe dëshmitë përkatëse për të ardhurat e realizuara në Drejtorinë për të Ardhura Publike (DAP). Llogaritja duhet të dorëzohet përmes sistemit e-Shërbime Tatimore të DAP-it.
Nga Drejtoria theksojnë se detyrimi për këta qytetarë ekziston pavarësisht nëse tatimi në shtetin e huaj është paguar apo jo.
Ata apeluan që qytetarët me kohë t’i përmbushin të gjitha detyrimet, me qëllim të përcaktimit të saktë të obligimit tatimor dhe shmangies së procedurave shtesë dhe sanksioneve.
Kujtojmë se qytetarët të cilët kanë punuar jashtë vendit, kryesisht në Irak dhe Afganistan javëve të fundit kanë protestuar duke kundërshtuar tatimet që DAP u kërkon t’i paguajnë.



