Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu deklaroi sot se Izraeli do të marrë kontrollin e plotë mbi të gjithë territorin e Rripit të Gazës, ndërsa ofensiva ushtarake kundër territorit palestinez vazhdon me intensitet të shtuar.
“Luftimet janë të ashpra dhe ne po përparojmë. Do të marrim kontrollin e të gjithë territorit në Rripin e Gazës. Nuk do të tërhiqemi. Por që të kemi sukses, duhet të veprojmë në një mënyrë që ata të mos mund të na ndalin,” u shpreh Netanjahu në një video të publikuar në profilin e tij në Telegram.
Ai shtoi se Izraeli duhet të parandalojë urinë në Gaza “për arsye diplomatike”, duke njoftuar rikthimin e kufizuar të ndihmave humanitare për popullsinë palestineze.
Sipas Netanjahut, “miqtë e Izraelit” i kanë thënë se nuk mund të mbështesin më vazhdimin e luftës nëse shfaqen pamje të urisë masive në territoret palestineze.



