Që nga fillimi i janarit, Elon Musk ka humbur gati 100 miliardë dollarë. Për të qenë më të saktë janë 96.5 miliardë dollarë sipas Indeksit të Miliarderëve të Bloomberg.
Tesla ka humbur një të tretën e vlerës së saj
Varfërimi i Musk (në letër) lidhet kryesisht me rënien në bursën e Wall Street të kompanisë Tesla ku Musk kontrollon 13% të kapitalit dhe ku është president dhe CEO i saj. Që nga fillimi i vitit, aksionet e saj kanë humbur rreth 33%, duke rënë në rreth 250 dollarë pasi prekën një nivel të lartë prej më shumë se 461 dollarë vitin e kaluar.
Kriza e shitjeve të makinave në Evropë
Me rënien e aksioneve me 30%, shkurti ishte muaji i dytë më i keq në historinë e kompanisë Tesla. Edhe pse rënia erdhi pasi çmimi i aksioneve të Tesla u rrit me më shumë se 40% që nga zgjedhja e Trump në fillim të nëntorit.
Rënia e fundit i është atribuar shqetësimeve mbi aktivitetet politike të Musk dhe rënies së shitjeve në tregjet kryesore si Evropa, Shtetet e Bashkuara dhe Kina. Në të gjithë kontinentin, makinat elektrike të Musk kanë rënë me 45%. Disa analistë ia atribuojnë rënien qëndrimit të Musk në mbështetje të partisë gjermane të ekstremit të djathtë AfD.
Vetë Musk u është përgjigjur kritikave dhe sfidave me parashikime superoptimiste duke vlerësuar një rritje 1000% të fitimeve të Tesla-s në 5 vitet e ardhshme. Do të shohim si do të shkojë.
SpaceX dhe Starlink
Ndryshe nga makinat elektrike, kompania SpaceX, e themeluar dhe e udhëhequr nga Musk me ëndrrën për të çuar njerëzit në Mars, duket se vazhdon të forcojë pozicionin e saj në sektorin e hapësirës ajrore.
Meqenëse nuk është një kompani e vlerësuar në bursë, vlerësimet janë më komplekse dhe numrat e fundit datojnë në dhjetorin e kaluar, kur vlerësimi i SpaceX u rrit nga 210 miliardë dollarë në 350 miliardë dollarë me një raund të ri financimi. Dinamizmi i filialit të tij, Starlink sugjeron që grupi do të vazhdojë të rritet.
Kontrata me Verizon
Administrata Federale e Aviacionit (FAA) po shqyrton përfundimin e kontratës së saj prej 2.4 miliardë dollarësh me Verizon dhe t’ia japë atë SpaceX-it të Elon Musk, raportoi Washington Post. Kontrata do të ndihmojë FAA të përmirësojë platformën që përdorin objektet e kontrollit të trafikut ajror për të komunikuar me njëri-tjetrin. Në fillim të kësaj jave, FAA konfirmoi se Musk kishte miratuar dërgimin e 4000 terminaleve të komunikimit satelitor Starlink tek rregullatori dhe se ai po testonte një në New Jersey dhe një në Alaskë.
Konflikti i interesit
Roli i ri politik i Musk, me hyrjen e tij zyrtare në administratën Trump, në krye të Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë (DOGE), një agjenci e krijuar për të reduktuar shpenzimet federale dhe për të përmirësuar efikasitetin e qeverisë ka ngritur shqetësimin e konfliktit të tij të interesit.
Starlink ka nënshkruar kontrata të shumta me Pentagonin për të ofruar lidhje satelitore për qëllime ushtarake, veçanërisht në zonat e konfliktit si Ukraina. SpaceX, nga ana tjetër është lëshuesi i zgjedhur për misionet e NASA-s ku konkurrent ka Blue Origin të Jeff Bezos. Kjo është një përzierje e interesave ekonomike që nuk përshtaten mirë me një rol të spikatur politik siç është ai i mishëruar sot nga sipërmarrësi afrikano-jugor përkrah Presidentit Trump.
Rivlerësimi i X
Pas blerjes së Twitter në 2022 për 44 miliardë dollarë, Musk e ristrukturoi kompaninë me emrin X. Megjithatë, vlera e rrjetit social ra në rreth 15 miliardë dollarë në vitin 2023, duke reflektuar sfidat me të cilat përballet tranzicioni dhe fitimi i parave në platformë.
Por suksesi i ardhur nga mbështetja e X për fushatën zgjedhore të Trump dhe afërsia e Musk me presidentin amerikan duket se kanë rigjallëruar rrjetin social, i cili aktualisht është në bisedime për të mbledhur fonde në një vlerë prej 44 miliardë dollarësh, e njëjta shumë e paguar nga Musk për blerjen në vitin 2022.
Edhe Kompania e inteligjencës artificiale xAI po negocion gjithashtu 10 miliardë dollarë financime të reja që gati do të dyfishonin vlerësimin e saj nga 40 miliardë dollarë në 75 miliardë dollarë.



