Personi i dyshuar i armatosur që sulmoi një pikë kontrolli sigurie në Darkën e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, duke e detyruar Presidentin Donald Trump të evakuohej, është identifikuar si Cole Tomas Allen, thanë për CNN tre burime të njohura me çështjen.
I dyshuari për sulmin në hotelin “Washington Hilton” është një burrë 31-vjeçar nga Kalifornia, i cili, sipas profileve publike, ka punuar si mësues dhe zhvillues i pavarur i videolojërave. Autoritetet amerikane kanë bërë të ditur se motivi i sulmit ende nuk është përcaktuar.
I dyshuari, i cili u arrestua pas të shtënave gjatë darkës së Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, është identifikuar si Kol Tomas Allen, 31 vjeç, banor i Torrance, Kaliforni, raporton Reuters duke iu referuar një zyrtari të shërbimeve të sigurisë.
Torrance është një qytet bregdetar në rajonin South Bay, pranë Los Angeles-it dhe gjirit Santa Monica.
Sipas shefit të policisë së Distriktit të Kolumbisë, hetuesit besojnë se i dyshuari ishte mysafir në hotelin “Washington Hilton”, ku po mbahej darka vjetore, por deri tani nuk është përcaktuar motivi i sulmit.
Postimet në rrjetet sociale që lidhen me Allen tregojnë se në dhjetor të vitit 2024 ai ishte shpallur “Mësuesi i Muajit” nga zyra në Torrance e “C2 Education”, një kompani private amerikane që ofron përgatitje për provime pranimi dhe shërbime tutorimi për studentë.
Një profil në LinkedIn me emrin e tij e përshkruan si “inxhinier mekanik dhe shkencëtar kompjuterik me arsimim, zhvillues i pavarur i videolojërave me përvojë dhe mësues nga natyra”.
Sipas këtij profili, ai ka diplomuar për inxhinieri mekanike në Institutin e Teknologjisë në Kaliforni në vitin 2017 dhe ka përfunduar studimet master në shkenca kompjuterike në Universitetin Shtetëror të Kalifornisë në Dominguez Hills në vitin 2025. Nga Caltech kanë konfirmuar se një person me këtë emër ka diplomuar në vitin 2017.
Carroll tha gjithashtu se i dyshuari ishte i armatosur me një pushkë gjahu, një pistoletë dhe disa thika dhe “shkëmbeu zjarr” me oficerët e zbatimit të ligjit kur u ndalua dhe u mor në paraburgim.
Kjo foto e të dyshuarit në incidentin gjatë Darkës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë u postua në llogarinë “Truth Social” të Presidentit Donald Trump të shtunën. Një foto e postuar në faqen e Trump në rrjetet sociale, e cila duket se kap momentet pas arrestimit, tregon të dyshuarin në tokë me të dyja duart pas shpinës.
Autoritetet thanë se i dyshuari nuk ishte qëlluar me armë zjarri, por u dërgua në spital për vlerësim dhe trajtim. Një agjent i plagosur i Shërbimit Sekret u dërgua gjithashtu në spital, tha kryebashkiakja e Uashingtonit, Muriel Bowser.
I dyshuari do të paraqitet në gjykatë të hënën, ku do të përballet me dy akuza: përdorimin e një arme zjarri gjatë një krimi dhune dhe sulmin ndaj një oficeri federal duke përdorur një armë të rrezikshme, tha prokurorja amerikane Jeanine Pirro.
Shefi i policisë së DC tha se i dyshuari dukej të ishte “një aktor i vetmuar”, ndërsa Trump vuri në dukje se ekipi i tij i sigurisë nuk ishte në dijeni të ndonjë kërcënimi para darkës së së shtunës.
Drejtori i FBI-së, Kash Patel, tha se hetuesit do të shqyrtojnë “me kujdes” të kaluarën e të dyshuarit. I dyshuari punonte si mësues dhe zhvillues videolojërash nga Kalifornia Jugore, sipas të dhënave publike.




