BallinaKulturëAsnjë autor shqiptar “i detyrueshëm”, MASH ndryshon konceptin për lektyrat

Asnjë autor shqiptar “i detyrueshëm”, MASH ndryshon konceptin për lektyrat

Byroja për zhvillimin e arsimit ka prezantuar në debat publik Listën me lektyrat që duhet të lexojnë nxënësit e ciklit të ulët, e cila për dallim nga ajo paraardhëse, është një e vetme, jo e ndarë sipas gjuhës (amtare) në të cilën zhvillohet mësimi. Në zërin – “Të detyrueshme” janë të radhitur autorë të huaj dhe maqedonas, turk…, por asnjë shqiptar, ndërsa titujt në gjuhën shqipe janë në zërin – “me zgjedhje”. Kjo është lista e vetme që i është vënë në dispozicion publikut, e titulluar “Propozim Listë leximi për nxënësit nga klasa e dytë deri në të nëntën në arsimin fillor”, që do të thotë se nxënësit nga klasa e dytë deri në të nëntën do të jenë të detyruar që deri në klasë të gjashtë të lexojnë 3 tituj të detyrueshëm në maqedonisht dhe kanë mundësi të zgjedhin dy deri në tre tituj jo të detyrueshëm, që janë nga autorë shqiptarë.

Nga klasa e shtatë deri në të nëntën katër tituj “Të detyrueshëm” kryesisht nga autorë të huaj në maqedonisht dhe tre “Sipas zgjedhjes” në gjihën shqipe, apo turke. Në kategorinë – “Të detyrueshme” krahas autorëve të huaj që dominojnë, si Andersen, Vëllezërit Grim, Mark Tuen, Xhek London…e të tjerë figurojnë autorë maqedonas, si Olivera Nikollova, Sllavko Janevski, B. Cërvenkovska, M.Cepenkov figurojnë edhe Nexhati Zekirija (turk) dhe Jasminka Petroviq (serbe). Nga ana tjetër asnjë prej emrave të njohur të letërsisë shqipe për fëmijë nuk është ngritur në kategorinë e autorëve që duhet t’i lexojnë të gjithë. Migjeni, Odhise Grillo, Adelina Mamaqi, Azem Shkreli, Anton Pashku…, janë në kategorinë e lektyrave “me zgjedhje”.

Pse u ndryshua Lista? Sipas BZHA, lista bazohet tek ajo e 2019/2020, por disa tituj janë hequr për shkak të lexueshmërisë së ulët, mos-përshtatshmërisë për moshën ose përmbajtjes së tyre, por edhe për shkak të ndryshimeve në programet mësimore dhe lidhjes ndërdisiplinore në mësim.

“Disa vepra janë zhvendosur në klasë tjetër ose kanë marrë status të ri – nga të detyrueshme janë bërë zgjedhore dhe anasjelltas. Në propozim janë përfshirë vepra që trajtojnë tema bashkëkohore dhe të rëndësishme, duke përfshirë identitetin dhe vetëbesimin, miqësitë dhe marrëdhëniet ndërpersonale, jetën shkollore dhe bullizmin, sfidat emocionale dhe psikologjike, përballimin e humbjeve, diversitetin kulturor, barazinë gjinore dhe përfshirjen e fëmijëve me aftësi të ndryshme”, thuhet në njoftimin qoi paraprin propozimit. Qëllimi është që nxënësit të lexojnë përmbajtje të afërta me realitetin e tyre, por edhe të mjaftueshme për analizë dhe interpretim simbolik, duke nxitur mendimin kritik, diskutimin dhe zhvillimin personal.

“Lista mbetet e hapur për propozime për të gjitha klasat, nga e dyta deri në të nëntën. Parashikohet gjithashtu mundësia e përfshirjes së një vepre nga literaturat kombëtare të të gjitha gjuhëve mësimore, ku çdo vepër do të përkthehet në të gjitha gjuhët zyrtare të RMV”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Lista, e publikuar në faqen zyrtare njoftimit të BZHA-së, ka të bashkëngjitur formularin për sugjerime titujsh të tjerë që mund t’i shtohen deri në afatin e përcaktuar deri në fund të këtij muaji (30 nëntor). Versioni i prezantuar, mes të tjerash, përmban një sërë gabimesh, emra dhe tituj librash të shkruar jo si duhet. Në vend “E sajoi reja zogun e furtunës”, të Fatos Arapit është shkruar – “Sajoi reja zogun e furtunës”, Rifat Kukaj figuron si Rifat Kuajt, Bedri Dedja gjendet edhe si “Bedri Dedaj”. Ndryshimet e fundit në listën e lektyrave u bënë në vitin shkollor 2019/2020, ndërsa Lista e re pas miratimit do të zbatohet në vitin e ardhshëm shkollor. (koha.mk)

Lajme te lidhura

spot_img