Dibra hap zyrë për diasporën, Ibrahim Kolari merr përgjegjësinë për SHBA-në dhe BE-në
Komuna e Dibrës synon të forcojë lidhjet me diasporën, duke caktuar me këtë rast Ibrahim Kolarin si përfaqësues për bashkatdhetarët që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Bashkimin Evropian.
Kolari ka bërë të ditur se këtë detyrë e ka pranuar me përgjegjësi të veçantë, duke falënderuar kryetarin e Komunës së Dibrës, Fisnik Mela për besimin e dhënë.
Ai thekson se angazhimi i tij do të jetë në funksion të krijimit të një ure të qëndrueshme komunikimi dhe bashkëpunimi mes diasporës dhe institucioneve lokale, me synimin që përvoja, njohuritë, idetë dhe investimet e bashkatdhetarëve të kontribuojnë në zhvillimin e Dibrës.
“Do të angazhohem që të jem një urë lidhëse mes diasporës dhe Komunës së Dibrës, me bindjen se bashkëpunimi, komunikimi dhe besimi i ndërsjellë janë çelësi i një të ardhmeje më të mirë për qytetin tonë”, ka deklaruar Kolari.
Ai u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve që të paraqesin idetë dhe propozimet e tyre, duke nënvizuar se diaspora duhet të ketë hapësirën e nevojshme për të qenë pjesë aktive e proceseve zhvillimore në vendlindje.
Një detaj që bie në sy është vendimi i Kolarit për ta ushtruar këtë detyrë kundrejt një kompensimi simbolik prej vetëm një denari në muaj.
Sipas tij, pranimi i kësaj përgjegjësie nuk lidhet me përfitime personale, por me dëshirën e sinqertë për t’i shërbyer vendlindjes dhe bashkatdhetarëve.
“Detyrën nuk e pranova për përfitimet e mia personale, por me dëshirë dhe sinqeritet për t’i shërbyer vendlindjes sonë dhe bashkatdhetarëve tanë”, ka theksuar Kolari.



