Koalicioni VLEN ka intensifikuar aktivitetet në terren në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 18 tetorit në Komunën e Bërvenicës, ku kandidati i tij për kryetar është Jakup Huseini.
Pas hapjes së shtabit në Bërvenicë, ku morën pjesë drejtues të VLEN-it, deputetë, kryetarë komunash dhe përfaqësues të strukturave partiake, aktivitetet kanë vijuar me takime me banorë në disa vendbanime të komunës.
Në kuadër të fushatës, përfaqësues të VLEN-it dhe Huseini kanë zhvilluar takime me banorë në Çellopek, Radiovcë, Gurguricë, Miletinë dhe Tenovë, ku është diskutuar për nevojat dhe prioritetet lokale.
Nga VLEN-i theksojnë se kandidati i tyre synon një bashkëpunim më të madh ndërmjet Komunës së Bërvenicës dhe institucioneve qendrore, veçanërisht në realizimin e projekteve lokale.
Jakup Huseini është magjistër i shkencave juridike dhe aktualisht punon si nëpunës shtetëror në Komunën e Bërvenicës. VLEN-i e ka zyrtarizuar kandidaturën e tij në shtator, ndërsa në fletëvotim ai është i renditur me numrin 4.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës do të mbahen më 18 tetor 2026.



