Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë shpallin sot aktgjykimin e shkallës së parë për ish-krerët e UÇK, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, në procesin gjyqësor për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Procesi gjyqësor në Hagë ka zgjatur më shumë se katër vite dhe ka përfshirë dëshmitë e mbi 100 personave nga ana e Prokurorisë, ndërsa mbrojtja ka paraqitur dëshmitarë dhe argumente në kundërshtim me akuzat dhe pretendimet për përgjegjësinë e të pandehurve.
Prokuroria ka kërkuar dënime me burgim për katër ish-krerët e UÇK-së, ndërsa mbrojtja ka kërkuar rrëzimin e akuzave.
Në Kosovë, shpallja e aktgjykimit është pritur me aktivitete publike në mbështetje të të akuzuarve, përfshirë “Marshin për Liri” në Prishtinë. Edhe në Hagë janë mbledhur mbështetës, ndërsa autoritetet holandeze kanë shtuar masat e sigurisë pranë objektit të Dhomave të Specializuara.
Aktgjykimi i shkallës së parë nuk e mbyll domosdoshmërisht procesin. Prokuroria dhe mbrojtja kanë të drejtë të apelojnë vendimin, sipas procedurave të Dhomave të Specializuara të Kosovës.



