BallinaLAJMEMaqedoni“Banda është në pushtet”, LSDM me akuza të rënda ndaj Mickoskit dhe...

“Banda është në pushtet”, LSDM me akuza të rënda ndaj Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë ka drejtuar akuza të ashpra ndaj kryeministrit Hristijan Mickoski dhe VMRO-DPMNE-së, duke reaguar ndaj deklaratës së tij se “nuk ka më banda, nuk ka më krim, nuk ka reketim, nuk ka më ekonomi të marihuanës dhe nuk ka më provizione nga Lotaria”. “Nuk ka banda të vogla, e saktë, ka vetëm një të madhe dhe ajo kontrollon gjithçka. Nuk ka më banda në rrugë – ka bandë partiake. Nuk ka reket nga jashtë – reketi tani ka vulë, kabinet dhe konferencë për media”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Nga partia opozitare pretendojnë se nuk ka më provizione nga Lotaria “në të zezë”, por, siç thonë, ekziston “një sistem në të cilin shteti është plaçkë”, duke përmendur një shumë prej 5,5 milionë eurosh.

LSDM ka ngritur akuza edhe lidhur me rastin e pesë tonëve marihuanë, duke pretenduar se ajo ka kaluar kufirin dhe doganën drejt Serbisë pa u ndaluar dhe me shoqërim policor. “Krimi dhe korrupsioni tani kanë emër dhe mbiemër: Hristijan Mickoski. Mickoski nuk publikoi rezultat. Ai publikoi kapitullimin e institucioneve”, thuhet në komunikatë.

Sipas LSDM-së, kur kryeministri pretendon se krimi nuk ekziston më, kjo nuk paraqet bilanc të punës së institucioneve, por, siç thonë nga kjo parti, “legalizim të krimit dhe korrupsionit”. Partia opozitare akuzon se gjatë dy viteve të fundit VMRO-DPMNE-ja ka vendosur njerëzit e saj në segmente të ndryshme të sistemit shtetëror, përfshirë gjyqësorin dhe prokurorinë, strukturat e sigurisë, lojërat e fatit, sektorin e energjetikës dhe prokurimet publike. “Pastaj del kryeministri dhe thotë – nuk ka banda. Banda është në pushtet. Nuk ka konkurrencë në rrugë kur rrugën e kontrollon kabineti”, deklarojnë nga LSDM.

Nga kjo parti shtojnë se, ndërsa Mickoski, sipas tyre, “rrëfen përrallat e tij ekonomike”, qytetarët paguajnë faturat, ndërsa pushteti krijon imazhin e rendit dhe përgjegjësinë për aferat përpiqet t’ia kalojë qeverisë së mëparshme. “Krimi nuk zhduket me një deklaratë. Ai zhduket me hetim që nuk ndalet para mbiemrit, funksionit apo librezës partiake”, theksojnë nga LSDM.

Opozita përmend 5,5 milionë euro të lidhura me Lotarinë, si dhe shuma milionëshe në energjetikë, prokurime publike dhe shërbimet e sigurisë, për të cilat pretendon se nuk janë “tema për PR”, por çështje për të cilat duhet të ketë përgjegjësi. “Nuk ka më banda. Ka vetëm një. Quhet VMRO dhe është ulur në Qeveri”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Në fund, LSDM paralajmëron se do të vazhdojë t’i ngrejë politikisht këto çështje dhe se nuk do të pranojë pretendimin se Maqedonia është “e pastër nga krimi” vetëm për shkak se këtë e deklaron kryeministri.

 

Lajme te lidhura

spot_img