Ylli francez, Kylian Mbappe, ndjeu dhimbje në kyçin e këmbës së djathtë dhe u zëvendësua në fundin e ndeshjes çerekfinale kundër Marokut, të cilën Franca e fitoi me rezultat 2-0 në Kampionatin Botëror.
Sulmuesi i Real Madridit shënoi golin e parë të ndeshjes, duke arritur në kuotën e tetë golave në këtë Botëror, ndërsa në pjesën e parë nuk arriti të realizonte nga pika e bardhë.
Pas ndeshjes, Mbappe deklaroi se nuk bëhet fjalë për një dëmtim serioz, por shpjegoi se kërkoi të zëvendësohej pasi nuk ndihej plotësisht i gatshëm për të vazhduar lojën.
“Jam mirë, kam një dhimbje të lehtë në kyçin e këmbës së djathtë. Gjithmonë mendoj se lojtarët që janë në fushë duhet të jenë 100 për qind të gatshëm, prandaj dola nga loja. Mateta ishte më i përgatitur se unë”, deklaroi Mbappe.
Ai foli edhe për penalltinë e humbur, duke theksuar se paqartësia rreth vendimit të VAR-it ndikoi në përqendrimin e tij.
“Nuk e godita mirë penalltinë. Kishte paqartësi gjatë kontrollit nga VAR-i. Më thanë se ndoshta penalltia nuk do të akordohej dhe duhej të prisja vendimin përfundimtar. Kjo ma tërhoqi vëmendjen dhe lejova të shpërqendrohesha”, tha reprezentuesi francez.
Në prag të gjysmëfinales, Mbappe theksoi se nuk mendon për kundërshtarin e mundshëm.
“Nuk mund të relaksohemi. Çdo ndeshje e radhës bëhet gjithnjë e më e vështirë. Nuk kam preferencë nëse do të luajmë kundër Spanjës apo Belgjikës. Për momentin jam i përqendruar vetëm në rikuperimin tim”, porositi Mbappe.
Lajmi është publikuar nga Skopje1.mk.



