Bullgaria pret që Republika e Maqedonisë së Veriut të përmbushë kriteret evropiane për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kështu deklaroi zëvendëspresidentja e Bullgarisë, Ilijana Jotova, gjatë takimit me presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, në kuadër të Samitit të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore që u mbajt në Sofje.
Ajo nënvizoi se nuk bëhet fjalë për kërkesa bullgare, por për kritere evropiane që duhet të përmbushen nga vendi kandidat. Sipas saj, për të nisur negociatat e plota me Bashkimin Evropian, Maqedonia e Veriut duhet të përmbushë obligimet e marra, përfshirë përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë.
Jotova kërkoi gjithashtu respektimin e të drejtave të bullgarëve në Maqedoninë e Veriut dhe ndërprerjen e gjuhës së urrejtjes ndaj tyre.
Në takim morën pjesë edhe zëvendësministrja bullgare e Punëve të Jashtme, Ivanka Tasheva, si dhe ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski.
Gjatë bisedës u ngrit edhe çështja e 23-vjeçares Iva Mihajllova, e cila është lënduar në një aksident trafiku. Sipas Jotovës, për shkak të hetimeve që po zhvillohen për rastin, asaj i janë konfiskuar dokumentet personale dhe nuk i lejohet të largohet nga Koçani, megjithëse ka nevojë për trajtim mjekësor në Bullgari.



