Rusia nisi një valë sulmesh ajrore gjatë natës në kryeqytetin ukrainas Kiev, ku e humbën jetën të paktën dy persona, përfshirë një fëmijë, kumtuan sot autoritetet lokale.
Administratori ushtarak i Kievit, Timur Tkaçenko, deklaroi në Telegram se janë plagosur edhe 19 persona. Kryebashkiaku Vitalij Kliçko tha se midis viktimave ishte edhe një fëmijë 12 vjeçar dhe një grua 35 vjeçare.
Gazetarët nga “Kiev Independent” publikuan shpërthime të shumta ndërsa raketat goditën qytetin në disa valë.
Dëme në ndërtesa banimi dhe tregtare u raportuan në disa zona, tha Tkaçenko, kurse shërbimet e emergjencës shpëtuan një fëmijë nga rrënojat e një blloku banimi të dëmtuar. Fëmija dhe nëna janë në mjekim.
Shkalla e plotë e dëmit dhe viktimave mbeti e paqartë ndërsa sulmet vazhduan deri në orët e para të mëngjesit.
Janë lëshuar paralajmërime për sulme ajrore edhe në rajone të tjera. Në Dniepër, të paktën dy persona u vranë dhe 27 të tjerë u plagosën në një sulm me raketa, deklaroi guvernatori Oleksandar Hanzha në Telegram. Pesë nga të plagosurit janë në gjendje kritike, ndërsa disa ndërtesa banimi u djegën.
Shpërthime u raportuan gjithashtu gjatë natës në qytetin portual Odesa, deklaroi guvernatori Oleh Kiper në Telegram. Një sulm rus me dronë dje goditi një ndërtesë banimi, ku e humbën jetën të paktën një person, ndërsa gjashtë u plagosën.



