“Presidenti venezuelian Nicolás Maduro ka probleme serioze shëndetësore që kërkojnë trajtim të vazhdueshëm mjekësor, ndërsa bashkëshortja e tij, Cilia Flores, ka pësuar lëndime të rënda gjatë rrëmbimit”, deklaruan avokatët mbrojtës gjatë seancës së parë gjyqësore në Nju Jork.
Gjykata njoftoi se seanca e radhës në procesin ndaj presidentit venezuelian dhe bashkëshortes së tij do të mbahet më 17 mars, në orën 17:00, në Nju Jork. Lajmi u konfirmua nga mediat amerikane, duke cituar gjyqtarin 92-vjeçar Hellerstein.
Avokatët e Maduros dhe Flores bënë gjithashtu të ditur se në këtë fazë nuk do të kërkojnë lirim me kusht për klientët e tyre, duke shtuar se një kërkesë e tillë mund të paraqitet në një moment të mëvonshëm të procesit.
Cilia Flores u deklarua e pafajshme për akuzat e konspiracionit në trafikun e drogës. Ajo u prezantua në sallën e gjyqit si “Zonja e Parë e Republikës së Venezuelës” dhe, pas deklarimit formal, theksoi se është “plotësisht e pafajshme”.



