Në ambientet e shkollës fillore “Liria” në Shkup u mbajt një aktivitet kulturor mbresëlënës, ku autorja Mejreme Kajolli Tusha promovoi pesë librat e saj më të rinj: “Gjurmët”, “Hijet e jetës”, “Aromë trëndafili”, “Sytë e diellit” dhe “Shokët e lagjes”.
Ngjarja u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, ku morën pjesë shkrimtarë, krijues letrarë, përfaqësues të shoqërisë civile, arsimtarë dhe dashamirë të librit.
Pjesëmarrësit vlerësuan kontributin e autores në pasurimin e letërsisë shqipe, duke theksuar stilin e saj të ndjeshëm dhe temat që trajtojnë jetën, ndjenjat dhe përditshmërinë e njeriut.
Gjatë fjalës së saj, autorja Kajolli Tusha falënderoi të pranishmit për mbështetjen dhe interesimin e treguar, duke ndarë emocionet e saj për këtë moment të veçantë të krijimtarisë.
“Poezitë në këta libra janë vargje që i kam shkruar prej kohësh, por nuk kam pasur mundësi t’i botoj më herët. Fati deshi që tani të marrin dritën e botimit. Me vargjet e mia shpreh dashurinë për familjen, kombin, vendlindjen dhe jetën. Inspirimin për vjershat për fëmijë e gjej tek nxënësit e mi, sepse jam pjesë e botës së tyre. Tregimet burojnë nga përjetimet e fëmijëve të mi dhe të lagjes ku jetoj. Dashuria e tyre për kafshët dhe respekti ndaj njëri-tjetrit më kanë frymëzuar shumë. Libri mbetet ura më e fortë që lidh brezat dhe frymëzon dashurinë për artin e fjalës,” – u shpreh autorja.
Ky promovim dëshmoi përkushtimin dhe pasionin e Mejreme Kajolli Tushës për letërsinë, duke e bërë një zë të rëndësishëm në skenën kulturore shqiptare të Shkupit.




