BallinaKulturëE pësoi për fotografinë e Titos, e la amanet të varroset me...

E pësoi për fotografinë e Titos, e la amanet të varroset me flamurin kombëtar!

Përkujtim: prof. Kimete Agai(1934-2025)

-Me gjithë pësimet e rënda, çifti jetësor e intelektual Kimete dhe Adnan Agai, në vitet e tyre të pleqërisë së thellë përjetuan satisfaksionin e rehabilitimit shoqëror, duke u ndarë mirënjohjet më të larta, që nga “13 Nëntori” që ndan Qyteti i Shkupit, gjer te ato më të lartat, shtetërore, “11 tetori” dhe “22 Nëntori” për kontributin e tyre në arsim dhe kulturë

Nga Daut Dauti

Para tri vitesh kaloi në amshim prof.Adnan Agai(1930-2022), një figure emblematike e arsimit shqip në Maqedoni, e më 1 korrik të këtij viti, u shua edhe bashkëshortja e tij, prof.Kimete Agai(1934-2025). Një dyshe jetësore, një dyshe që gërshetoi potencialin e tyre në vepra të përbashkëta me shumë rëndës për arsimin dhe kulturën.
Personalitetet si Kimete dhe Adnan Agai gjithë veprimtarinë e tyre e konceptojnë si një mision. Të jesh në lëkurën e tyre, nuk e ndjen vetëm peshën e detyrës për t’i dhënë dikujt dije, por për të motivuar e për të emancipuar jo vetëm gjeneratat e reja, por një popull të tërë. Në ato kohë të vështira të pas luftës së dytë botërore, këtu fitoi ideologjia që ngërthente shumë dogma, por që për paradoks barazinë dhe arsimin i kishte proklamuar si çështje bazike të ndryshimeve. Për ta përqafuar rrugën e dijes, për masat e gjera popullore të prapambetura është dashur njerëz idealistë që do t’i prinin, por më së shumti, me shembullin e tyre personal. Të ishe femër dhe të vazhdoje një rruge të shkollimit, ka qenë edhe më vështirë. Por, prof. Kimete Agai nuk do t’i kishte pasur këto pengesa, sepse familja e saj qytetare shkupjane, do ta kishte kuptuar tashmë rëndësinë e shkollimit dhe nuk do të pengonte vajzën e tyre po ashtu të etur për dije, të ecte rrugës së shkollimit. Kështu, Kimetja e re, e lindur më 3 maj 1934, menjëherë pas luftës pas fillores do të kryejë edhe Shkollën Normale, që atëherë ishte niveli i shkollimit për mësues, e pastaj do të vazhdojë edhe me Fakultetin e Gjuhës, gjer në magjistraturë. Në doktoraturë nuk arriti për shkak të persekutimit ideologjik, duke ia ndalë hovin asaj dhe bashkëshortit të saj.
PERSEKUTIMI I PAMËSHIRSHËM
Po cili ishte “mëkati” që profesorët Agai i vuri nën çekanin e diferencimeve?
Nga këndvështrimi i kësaj kohe, gjithçka duket absurde, por në periudhën e viteve ‘80-të, pas ngjarjeve të Kosovës, shqiptarët u vunë në sprova të rënda, jo vetëm atje, por në mbarë ish-Jugosallvinë. Atëherë nuk quhej akt armiqësor vetëm kërkesa për Kosovën Republikë, por dhe ishte halë në sy dhe shpallej armik çdo intelektual. Me faj e pa faj, shqiptarët duhej ta paguanin haraçin gjithkund. Kështu edhe në Maqedoni ishte i madh presioni, jo vetëm ndaj atyre që në ndonjë farë mënyre ishin kyçur në ndonjë organizatë ilegale, por dhe thjeshtë ndaj kujtdoqoftë, të cilit Partia ia vinte syrin që të dëshmonte se si e lufton “me sukses” nacionalizmin dhe irredentizmin/separatizmin shqiptar. Kështu, midis shumë të tjerëve, ia kishin vënë syrin edhe prof. Adnan Agait, sepse, ishte një klishe ndoshta, ata persona që dikur kishin qenë të shënjestruar si elementë armiqësorë (Prof.Agai, viteve 50-të, ishte dënuar pse kishte ngritur zërin pse hapen më shumë shkolla turke se shqipe në mjediset shqiptare), të ishte “i përshtatshëm” për një ndëshkim të ri.
2 / 3
Ne të gjeneratave që i kemi jetuar ato vite të mbrapshta 80-të, ende në kokë na sillen ato lajmet e çdoditshme të asaj fushate të vrazhdë antishqiptare. Në Maqedoni ku jetonin mbi 20 për qind shqiptarë, nuk mund të kishte “ngecje” në luftimin e dukurive që i kishte shënjestruar LKJ-ja, ndaj dhe kërkoheshin me çdo kusht koka për kurban. Nëse do të ishte përzier dikush në ndonjë aktivitet “armiqësor”, s’kishte kush që mund ta shpëtonte, por nëse dikë e kishin vënë në shënjestër, do të bënin çmos që t’i shpikej vepra edhe pse e pa bërë! Kështu do ta pësojnë edhe Kimete dhe Adnan Agai.
Mëkati i tyre “u gjet” te Libri i leximit për klasën e 5-të, autorë të të cilit ishin ata, duke i akuzuar se nuk e kanë vënë fotografinë e Josip Broz Titos!
Ky ishte preteksti për t’u ngritur gjithë ato procedura të diferencimit, të nxitura nga lartë e gjer poshtë. Duhej të “demaskohej” “armiqësia” e autorëve të librit, të cilët, ja, nuk e paskan vënë fotografinë e Titos, kuptohet, qëllimisht dhe me mesazh të qartë që nuk e ndjekin rrugën e tij. Tito tashmë kishte vdekur, por hija e tij duhej të ishte aty për t’i ndëshkuar ata që duhej ndëshkuar.
Por, paradoksi qëndron në një fakt fare notor: fotografia e Titos ishte në faqet e para të librit, aty ku e kishte vendin sipas praktikës së botuesve të librave shkollorë. Por kjo i vërtetë nuk u duhej komiteteve të partisë, ata do të shpiknin dhe nuk do të dëgjonin kurrfarë argumenti. Edhe sikur të ishte hequr, vallë faji a nuk i takonte botuesit të saj, “Prosvetno dellos”, e jo atyre?!
Pavarësisht të vërtetës, në gjimnazin “Zef Lush Marku” nga lartë ishte urdhëruar që me çdo kusht profesor Adnan Agai duhet të shpallet fajtor.
Edhe dyshja e autorëve të librit “inkriminues” e kishte të qartë këtë. Ndaj, Adnan Agai kishte vendosur që të flijohet vetëm ai dhe mos t’i përfshijë të tjerët…Këtë, pas komemoracionit për prof.A.Again, para tre vitesh ku si ish-nxënës fola për figurën e tij emblematike si pishtar i arsimit, ma tha një koleg i tij profesor. E ai më rrëfeu se kur janë mbajtur ato mbledhjet e famshme për ta trajtuar “rastin” e tij, ka shkuar kabinet më kabinet, koleg më koleg që t’u thotë: mos bëni përpjekje të më mbroni dhe të solidarizoheni me mua, sepse përskaj meje mund të digjeni edhe ju!
Pasi ta shpallin fajtor prof.Adnanin, i cili përjashtohet edhe nga puna, i erdhi radha edhe bashkëshortes së tij, zonjë Kimete Agai. Për ironi, ndaj saj do të jenë më të butë: do ta heqin nga pozita e profesorit, do ta ulin në nivelin e një administratoreje të thjeshtë!
STOIKË, GJER NË REHABILITIM TË PLOTË
Edhe kur ndërroi jetë prof. Agai kisha shkruar se të gjetur në këtë situatë të rëndë, të përballur me këtë padrejtësi dhe poshtërim, çifti Agai do të kërkojë strehim në Prishtinë, ku prof.. Kimetja do të punojë disa vjet si lektore në Teatrin Krahinor të atëhershëm. Të strehoheshe në Prishtinë në ato vite të presionit nga Beogradi, nuk ishte edhe ndonjë situatë shumë e favorshme. Sepse ato në përgjithësi ishin të vështira për gjithë Kosovën, ndaj as kjo nuk ishte ndonjë zgjidhje. Me gjithë këto probleme, çifti Agai do të bëjë të pamundurën që t’u krijojnë kushte fëmijëve të tyre për të vazhduar shkollimin dhe ata sot janë mjekë e intelektualë të respektuar(neurokirurgu i njohur dr.Lulzim Agai dhe dr.Teuta Agai, e cila njëherësh është ndër diplomatet e pakta femra ndër ne). Profesori do të detyrohet të merret me punë nën nivelin e tij arsimor, e një kohë do të shkojë në gurbet gjer në Amerikë…
Shpërbërja e Jugosllavisë, krijimi i shteteve të reja, do të mundësojë kthimin në Shkupin e tyre, ku do të harrojnë gjithçka që u kishte ndodhur. Ata nuk do t’i braktisë asnjëherë motivi i
3 / 3
punës dhe me vite do të punojnë në fjalorët shqip-maqedonisht dhe anasjelltas, dhe në vepra të tjera, duke zëvendësuar urrejtjen që mund të kishin akumuluar për gjithë atë që përjetuan si intelektualë shqiptarë, me vepra që do të ndihmonin një komunikim edhe në baza ndëretnike.
Për jetën, punën si edukatorë gjeneratash dhe autorë librash e fjalorësh, përskaj përpjekjeve të mia modeste, do të bëjë një film dokumentar gazetari i ndjerë i Televizionit Shtetëror të Mqedonisë, Resht Kamberi, kurse historiani Qerim Lita në gazetën Koha në disa vazhdime ka shkruar për veprimtarinë atdhetare të Adnan Agait. Q.Lita mblodhi material edhe për monografi, por ishte ballafaquar me një problem të natyrës etike e njerëzore: vetë çifti Kimete dhe Adnan Agai nuk kishte dashur që të botohet një libër i tillë në të gjallë të tyre, që të kursehen nga traumat e ballafaqimit me persona që ishin gjallë, e që kishin ndonjë faj në persekutimin e tyre politik. Vetë familjarët më kanë rrëfyer se edhe kur babai i tyre e kishte marrë dosjen e nga MPB-ja(në bazë të një ligji për qasje te dosjet personale), ndonëse emrat e bashkëpunëtorëve të sigurimit kishin qenë të mbuluara, ai shumicën i kishte njohur, por dosjen e kishte mbyllur në sirtar, duke mos duke mos dashur t’i identifikojë ata që ia kishin përgatitur kurthin, që mos t’u krijojë situatë të pakëndshme familjarëve.
Si martirë të vërtetë, u bënë ballë të gjitha sfidave të jetës, ruajtën dinjitetin e tyre njerëzor e intelektual. Ata pas vetes lanë dy fjalorët kapitalë të përmendur më sipër, ishin autorë të librave shkollorë, ndonjëherë bashkë, e ndonjëherë veç e veç, por gjithnjë duke bashkëpunuar dhe këmbyer idetë për hir të cilësisë së veprave të tyre. (1971 – Libër Leximi për kl.V(5 ribotime). 1995 – Fjalori i emrave të përveçëm”, 2004 – “Anegdota”(A.Agai), “Leksikoni i fjalëve dhe shprehjeve të huaja në gjuhën shqipe”(në dorëshkrim, autorë të dytë). Kanë bashkëpunuar në realizimin e projektit televiziv “Lojë abeceje” dhe kanë përkthyer disa autorë botërore. Jeta dhe vepra e tyre ishte dhe mbeti frymëzim i pashtershëm, prandaj ka mbetur respekti dhe dashuria ndaj tyre nga gjenerata në gjeneratë.
Me gjithë pësimet e rënda pas diferencimit të tyre, çifti jetësor e intelektual Kimete dhe Adnan Agai, në vitet e tyre të pleqërisë së thellë përjetuan satisfaksionin e plotë të rehabilitimit shoqëror, duke u ndarë mirënjohjet më të larta shoqërore, që nga “13 Nëntori” që ndan Qyteti i Shkupit, gjer te ato më të lartat, shtetërore, “11 tetori” dhe “22 Nëntori” për kontributin e tyre në arsim dhe kulturë.
Me gjithë rëndësinë e madhe që kanë fjalorët dhe veprat tjera, profesorët Kimete dhe Adnan Agai mbeten në kujtesë si profesorë të zellshëm, të përkushtuar, duke ua mbjellë gjeneratave dashurinë ndaj dijes, kulturës, letërsisë, gjuhës, kombit…, gjithnjë me vizion të qartë intelektual dhe kombëtar.
Kështu ishte edhe akti i fundit i profesoreshës Kimete: Familjarët tregojnë se kur u shtri në spital disa javë para se të ndërronte jetë, gjithë kohës pranë vetes e kishte një flamur kombëtar dhe i jepte kurajë vetes duke e shikuar atë dhe duke dëgjuar himnin kombëtar! E kishte lënë me gojën e vet që ta varrosnin me flamur, ashtu dhe u bë!
P.S.
Respekti im personal që mund të jetë vetëm një pikë ujë e qindra nxënësve apo studentëve të tyre, është edhe më i madh ngase prof. Adnan Again e kam pasur jo vetëm kujdestar, por dhe frymëzuesin dhe përkrahësin më të madh në rrugën profesionale të gazetarit dhe krijuesit.

Lajme te lidhura

spot_img