Në Tetovë sot u shënua hapja e kopshtit të ri të fëmijëve “Rilindja” pranë Institucionit publik për kujdes të fëmijëve “Rinia”.
Në hapje solemne morën pjesë ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, ambasadori i BE-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Mihalis Rokas dhe kryetari i Komunës së Tetovës, Bilal Kasami dhe drejtoresha Fatlinda Jaja, ndërsa më pas pati edhe fjalime rasti.
“Çdo fëmijë meriton të rritet dhe të zhvillohet në një mjedis që do të jetë i shëndetshëm dhe stimulues për të, që të mund të zhvillojë potencialin e tij. Për këtë arsye tregohet kujdes i veçantë që objektet të ndërtohen në përputhje me të gjitha standardet dhe kushtet më bashkëkohore si parakusht për edukim cilësor parashkollor”, theksoi ministri Limani.
Ai shprehu mirënjohjen e tij për Delegacionin e BE-së në vend për mbështetjen që marrim nga Komuna e Tetovës për përpjekjet për avancimin e mbrojtjes së fëmijëve dhe bashkëpunimin e shkëlqyer, por edhe për institucionin publik “Rinia”, për profesionalizmin në punë dhe përpjekjet për kujdes të pandërprerë ndaj më të vegjëlve.
Ambasadori Rokas porositi se BE-ja është krenare që i mbështetë projektet për arsim dhe politikë sociale në vend.
“Investimi në kopshtin në Tetovë e simbolizon prioritetin të cilin të gjithë ua japim gjeneratave të reja. Ata që do ta formojnë të ardhmen e Maqedonisë së Veriut dhe të BE-së. Së bashku, të gjithë ne synojmë drejt politikave arsimore dhe sociale të cilat do t’i prëforcojnë evropianët me diturinë e nevojshme dhe shkathtësi me shërbime adekuate për mbështetje sociale. Gjithçka fillon nga kopshtet”, tha Rokas.
Kryetari i Komunës, Bilall Kasami e ceki rëndësinë e hapjes së kopshtit për qytetarët e kësaj komune. Ai i përgëzoi punonjësit për punën e tyre, duke theksuar përgjegjësinë e tyre për procesin edukativo-arsimor të fëmijëve.
“Edhe pse nuk jeni prindërit e tyre biologjikë, mund të jeni një zëvendësues i mirë për ta. Ju keni përgjegjësinë për të ndërtuar dhe edukuar individë dhe individë të përgjegjshëm të cilët do të kontribuojnë në shoqëri, sepse prindërit e tyre morën përgjegjësinë për të punuar, paguar taksat dhe me ato taksa për të siguruar pagat tuaja”, tha Kasami.
Ndërtimi është financuar përmes programit vjetor të aksionit “Mbështetja e BE-së për arsim, punësim dhe politikë sociale” për vitin 2017 me buxhet të përgjithshëm prej rreth 805.000 euro, prej të cilave BE-ja financon rreth 705.000 euro dhe bashkëfinancon shteti nga buxheti nacional prej rreth 100.000 euro.



