Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) njoftoi të hënën se i ka futur në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara ish-zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, si dhe gjykatësin e Gjykatës së Apelit, Enver Behxheti, për shkak të përfshirjes në “korrupsion të madh”.
Në një njoftim për media, DASH tha se Grubi dhe Bexheti “janë përfshirë në korrupsion të madh duke pranuar ryshfet për t’i minuar proceset gjyqësore të lidhura me dënimin penal të Sasho Mijalkovit, ish-drejtorit të shërbimit sekret”.
Mijalkovi është gjithashtu në listën e zezë të SHBA-së që nga viti 2022.
Në listën e zezë janë futur edhe anëtarët e familjes së ngushtë të Grubit, thuhet në njoftim.
Mijalkovi në korrik të vitit 2022 u dënua me tri vjet burg në rastin e njohur si “Perandoria”, për akuzat për bashkim kriminal, përvetësim dhe fshehje të paligjshme të pasurisë, apo larje të parave, përkatësisht të mbi 8 milionë eurove, përmes kompanive “offshore” (kompani jashtë vendit).



