Platforma e shpërndarjes së videove TikTok është gjobitur me 530 milionë euro nga Komisioni Irlandez i Mbrojtjes së të Dhënave (DPC) për dështimin në mbrojtjen e të dhënave personale të përdoruesve të BE-së gjatë transferimit të tyre në Kinë, tha organi mbikëqyrës i privatësisë në një deklaratë të premten.
“Si rezultat i dështimit të TikTok për të ndërmarrë vlerësimet e nevojshme, TikTok nuk e trajtoi aksesin e mundshëm të autoriteteve kineze në të dhënat personale të EEA-së sipas ligjeve kineze kundër terrorizmit, kundër spiunazhit dhe ligjeve të tjera të identifikuara nga TikTok si dukshëm të ndryshme nga standardet e BE-së”, shkruhet tutje në deklaratë.
TikTok – i cili ka rreth 159.1 milionë përdorues aktivë mujorë në Evropë – duhet ta sjellë përpunimin e të dhënave në përputhje me rregulloret brenda gjashtë muajve. Transferimet e të dhënave në Kinë do të pezullohen nëse ky afat nuk përmbushet.



