Safit Zeqiri
Ka thënie që duken poetike, por në thelb mbajnë një realitet të hidhur politik. Një prej tyre është: “Si atëherë edhe tani, si tani nga atëherë edhe përsëri!” E thjeshtë në tingull, por e rëndë në domethënie, që kap në një fjali të vetme gjithë tranzicionin politik të Maqedonisë së Veriut dhe veçanërisht kapitullin shqiptar brenda tij. Një histori që nuk përparon, por rrotullohet; një mekanizëm që nuk reformohet, por ripërsëritet. Kjo thënie nuk është vetëm një metaforë për kohën, por një diagnozë e saktë e realitetit politik në vendin tonë.
Atëherë dhe tani – e njëjta skenë, aktorë të ndryshëm, skenar i pandryshuar.
Në tri dekada pluralizëm, vendi ka ndërruar qeveri, koalicione, ideologji të deklaruara dhe partnerë ndërkombëtarë. Por, brenda këtij ndryshimi sipërfaqësor, një e vërtetë mbetet konstante: politika funksionon me rregullat e së kaluarës.
Institucionet tona vazhdojnë të jenë më shumë instrument partiak sesa mekanizëm i shtetit modern. Partitë politike, pavarësisht gjuhës që flasin, operojnë mbi të njëjtat parime të kontrollit, klientelizmit dhe llogaridhënies së munguar. Reformat shpallen, por nuk zbatohen, lufta kundër korrupsionit përmendet, por nuk ndalohet. Ndërkohë, qytetari është lënë të zgjedhë midis zhgënjimit dhe apatisë.
Si atëherë në vitet e para të tranzicionit, edhe sot: politika është terren betejash të brendshme, jo mjet shërbimi për shoqërinë.
Përsëritja e modelit shqiptar si energji e shpërdoruar në luftëra të vogla është shembulli më i qartë i ciklit “atëherë–tani–përsëri”. Grindjet përbrenda, konkurrenca e ashpër për pushtet, prishjet dhe bashkimet e papritura, retorika e tensionuar dhe mungesa e një strategjie afatgjatë kanë bërë që shqiptari i sotëm në Maqedoninë e Veriut të ndihet po aq i zhgënjyer si atëherë edhe tani.
Edhe kur vijnë figura të reja ose struktura të reja, shumë shpejt bien në grackën e së njëjtës politike të vjetër të përqendruar tek posti – jo tek performanca, tek marrëveshja nën tavolinë – jo tek transparenca, tek simbolika – jo tek substanca.
Kështu, edhe kur prodhohet shpresa, ajo zbehet shpejt sepse sistemi politik është më i fortë se individi politik. Koha politike ndryshon, por kultura politike mbetet. Ndërkohë që rajoni ecën përpara, me gjithë sfidat e tij, Maqedonia e Veriut vazhdon të ngecë në të njëjtat dilema: integrimi në BE që varet gjithmonë nga kriza të brendshme politike; kompromise të imponuara nga jashtë, të papërthyera brenda; institucione të dobëta, që ndryshojnë vetëm shefat, jo mënyrën e funksionimit. Kultura e qeverisjes nuk ka pësuar pothuajse asnjë evolucion, por vetëm rotacion politik, e jo transformim institucional.
Ndryshojnë fytyrat, por jo mënyra e të menduarit. Përballë kësaj, slogani “ndryshimi ka ardhur” del i rremë, sepse realiteti na tregon se ndryshimi ka ardhur vetëm në fjalë, jo në praktikë. Mosprishja e ciklit krijon pasojat, kur politika rrotullohet në të njëjtin cikël vicios, qytetari ndalet së besuari. Shqiptarët sot, më shumë se kurrë më parë, po humbin motivimin për të votuar, për t’u angazhuar dhe për të kërkuar llogari.
Kjo nuk është thjesht pasojë e gabimeve të një partie apo tjetre — është pasojë e një sistemi të tërë që nuk funksionon. Dhe kjo apati, kjo tërheqje nga skena publike, ka një kosto të lartë: reduktimin e ndikimit politik të shqiptarëve në nivel shtetëror. Sa herë që vota bie, bie edhe pesha politike, e kjo, në një vend multietnik si Maqedonia e Veriut, është alarm i kuq. A ka rrugëdalje? Po — por jo brenda logjikës “atëherë–tani–përsëri”. Cikli mund të prishet vetëm nëse ndryshon vetë mënyra e funksionimit të politikës: institucione me standarde – jo me militantë; qeveri që jep llogari – jo që shpjegohet vetëm para zgjedhjeve; parti që e ndërtojnë elitën me meritë – jo me lojalitet; liderë që shohin shtetin – jo vetëm pushtetin; shqiptarë që kërkojnë performancë – jo vetëm përfaqësim. Nëse nuk ndryshohet kursi, koha do të vazhdojë ta qeshë politikën tonë thënia “si atëherë edhe tani, si tani nga atëherë edhe përsëri” është një paralajmërim, jo një poezi. Politika jonë nuk mund të vazhdojë të ecë në rreth, qytetari shqiptar nuk mund të mbetet i burgosur i së njëjtës histori që përsëritet. Është koha të dalim nga ky cikël, nëse jo, nuk do të ketë “të ardhme” — do të ketë vetëm riprodhim të së shkuarës dhe një vend nuk ndërtohet me rrotullime, por me hapjen e një rruge të re.



