Rreziku më i madh është që Uashingtoni të pezullojë bashkëpunimin në fushën e inteligjencës, thelbësor për identifikimin e objektivave ushtarake ukrainase dhe sidomos për përdorimin e sistemeve antiraketore Patriot, të vetmet që mund të ndalojnë raketat balistike ruse që godasin qytetet dhe infrastrukturën. Kjo është arsyeja pse negociatat në Gjenevë po zhvillohen me pjesëmarrjen e europianëve, ukrainasve dhe amerikanëve – këta të fundit me të dyja fraksionet e tyre: Rubio dhe Driscoll (që përfaqëson Vance)
Nga Nathalie TOCCI
Plani rus për Ukrainën, konfliktet e brendshme në administratën Trump dhe negociatat në Gjenevë: si lidhen të gjitha këto me ditët e fundit kaotike të luftës ruso-ukrainase? Dy premisa dhe dy skenarë të mundshëm.
Së pari, premisat: siç shumë dyshonin, plani me 28 pika është hartuar në Moskë, me disa “kompromise” për t’iu dukur i pranueshëm Uashingtonit, sipas manualit klasik të manipulimit të Kremlinit. Mjafton të lexosh përmbajtjen, që nga tërheqja e trupave ukrainase nga zonat e Donbasit që Rusia nuk arriti t’i pushtojë, te përgjysmimi i ushtrisë së Kievit, e deri te propozimi absurd për t’ua dhënë SHBA-ve gjysmën e përfitimeve të rindërtimit, që të kuptosh se plani është shkruar nga rusët (madje edhe në rusisht).
I hartuar në Kremlin dhe i dorëzuar të dërguarit naiv të presidentit amerikan, Steve Witkoff, ai u shndërrua “magjikisht” në një “plan amerikan”, të cilin më pas Dan Driscoll, sekretari i Ushtrisë dhe aleat i zëvendëspresidentit JD Vance, duhej t’ia impononte Ukrainës. Skandali diplomatik ishte aq i madh, saqë sekretari i shtetit Marco Rubio u distancua pjesërisht. Dihet prej kohësh se Vance dhe Rubio përfaqësojnë dy krahë të kundërta të politikës së jashtme brenda administratës Trump, e njëjta gjë u pa edhe në Lindjen e Mesme, ashtu si tani në Ukrainë. Siç ishte paralajmëruar ditët e fundit, ky plan ruso-amerikan tregon më shumë për konfliktet e brendshme në Uashington dhe për aftësinë e Moskës për t’i manipuluar ato, sesa për vetë luftën në Ukrainë.
Premisa e dytë është se Ukraina nuk do ta pranojë kurrë një plan të tillë në formën aktuale, sidomos nëse dy pikat themelore, tërheqja nga territori ukrainas i fortifikuar ku jetojnë 200 mijë civilë dhe përgjysmimi i ushtrisë, pra garancia e parë e sigurisë së vendit, nuk hiqen plotësisht. Këto janë kërkesat që interesojnë më shumë Moskës, jo aq për territorin e Donbasit, por sepse do t’i siguronin Rusisë mundësinë për ta rifilluar luftën shumë shpejt, në një moment kur ajo do të ishte riarmatosur plotësisht.
Edhe pse plani nuk do të pranohet në këtë formë, as Kievi dhe as europianët nuk ia kanë mbyllur derën presidentit amerikan Donald Trump. Kjo do të ishte kundërproduktive: një refuzim i drejtpërdrejtë vetëm do ta shtynte Trump drejt aleancës së plotë me Vladimir Putinin, duke e ashpërsuar qëndrimin e Uashingtonit ndaj Ukrainës. Tashmë SHBA-të nuk e mbështesin më Ukrainën as ushtarakisht, as financiarisht, vetëm u shesin armë europianëve, të cilët pastaj ia dorëzojnë Kievit. Por rreziku më i madh është që Uashingtoni të pezullojë bashkëpunimin në fushën e inteligjencës, thelbësor për identifikimin e objektivave ushtarake ukrainase dhe sidomos për përdorimin e sistemeve antiraketore Patriot, të vetmet që mund të ndalojnë raketat balistike ruse që godasin qytetet dhe infrastrukturën.
Kjo është arsyeja pse negociatat në Gjenevë po zhvillohen me pjesëmarrjen e europianëve, ukrainasve dhe amerikanëve – këta të fundit me të dyja fraksionet e tyre: Rubio dhe Driscoll (që përfaqëson Vance).
Këtu hapen dy skenarë të mundshëm:
Skenari i parë: Do të përsëritej ajo që ndodhi pas samitit në Alaska. Edhe atëherë Trump kishte bërë një kthesë të rrezikshme pro-ruse, por europianët, duke udhëtuar urgjentisht në Uashington, arritën të zbusnin dëmet. Nuk e bindën që të forconte ndëshkimet ekonomike ndaj Moskës, por të paktën e penguan që pozicioni amerikan të përputhej plotësisht me atë të Kremlinit. Ata mendonin se i kishin shpëtuar më të keqes, pa e kuptuar se Moska po vazhdonte të lëvizte fijet e saj, në të cilat Witkoff dhe Trump ranë përsëri.
Në Gjenevë, europianët do të përpiqen ta përdorin të njëjtën strategji, duke paraqitur planin e tyre alternativ me 24 pika. Nëse Rubio fiton ndikim mbi Trump-in, ata mund t’ia dalin. Në këtë rast, Putin do të tërhiqej nga loja diplomatike, sepse kontrolli i tij do të ishte sfiduar edhe një herë tjetër.
Skenari i dytë: Trump këtë herë zgjedh të mos distancohet nga “miku” Putin dhe e bën planin 28-pikësh zyrtarisht plan amerikan. Kjo është me shumë gjasë ajo që dëshiron Vance, i cili ka treguar përçmim të vazhdueshëm ndaj Europës: që nga kritikat e tij në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, te roli i tij negativ në takimin katastrofik mes Trump dhe presidentit ukrainas Zelensky në Zyrën Ovale në shkurt, e deri te skandali i bisedës në Signal pak javë më vonë.
Nëse ndodh kjo, Ukraina, e shtyrë midis ruajtjes së dinjitetit dhe braktisjes nga SHBA-të, do të zgjidhte të parën, siç e ka bërë të qartë Zelensky në një prej fjalimeve të tij më të ndjera. Në atë moment, europianët, duke mbledhur një pjesë të guximit të ukrainasve, do të detyroheshin të udhëtonin në Uashington për t’i kërkuar Trump-it, në mënyrë sa më të butë, që të tërhiqet dhe të përqendrojë “obsesionin” e tij për Çmimin Nobel të Paqes në ndonjë kauzë tjetër. (La Stampa)



