Mr Safit Zeqiri
Rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit 2025 në Kosovë konfirmuan edhe një herë dominimin politik të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të liderit të saj, Albin Kurti. Me këtë rezultat, krijohen kushtet për formimin e Qeverisë Kurti 3, një mandat që nuk përfaqëson vetëm vazhdimësi qeverisëse, por edhe një test serioz për konsolidimin institucional të shtetit. Ky rezultat vjen nga vendsoshmëria e një populli të zgjuar për të zgjedhur politikat e brendshme dhe të jashtme sovrane të një shtetit serioz me kapacitet politik.
Fitorja e Vetëvendosjes nuk është thjesht numerike, po është produkt i një narrative politike të ndërtuar mbi sovranitetin, luftën kundër korrupsionit dhe një qasje më të ashpër ndaj dialogut me Serbinë. Megjithatë, mandati i tretë e vendos Kurtin përballë pritshmërive më të larta qytetare dhe një përgjegjësie më të madhe për rezultate konkrete në ekonomi, drejtësi dhe mirëqenie sociale.
Në këtë kontekst, opozita kosovare ka një rol të ri dhe të domosdoshëm. Ajo duhet të jetë e frytshme, kritike dhe aktive në politikat e brendshme, duke ushtruar kontroll demokratik dhe duke sfiduar çdo devijim nga interesat publike. Bashkëpunimi i verbër në çështjet e brendshme do të ishte dëm për demokracinë.
Ndërkaq, në politikat e jashtme, veçanërisht në raport me dialogun Kosovë–Serbi, integrimin euroatlantik dhe partneritetin strategjik me SHBA-në dhe BE-në, opozita duhet të tregojë pjekuri shtetërore dhe unitet politik. Interesi nacional kërkon konsensus minimal dhe qëndrime të përbashkëta, përtej dallimeve partiake.
Një Kosovë e fortë brenda, për rajonin, ky rezultat dërgon një mesazh të dyfishtë. Nga njëra anë, Kosova shfaqet si shtet me stabilitet të brendshëm politik, ku qytetarët nuk ndërruan drejtim, por e thelluan atë. Nga ana tjetër, për fqinjët dhe faktorët ndërkombëtarë, vazhdimësia e Kurtit nënkupton një politikë të parashikueshme në parime, por jo gjithmonë komode në dialog.
Në Beograd, ky rezultat lexohet si konfirmim se Kosova nuk do të kthehet në epokën e kompromisit të lehtë. Në Shkup, Tirana zyrtare dhe Podgorica, ai shihet si forcim i boshtit të qeverive që mbështeten mbi legjitimitet popullor dhe jo mbi pazare elitare.
Dhjetori i vitit 2025 shënon kështu një moment kyç, një qeveri me mandat të fuqishëm dhe një opozitë që duhet të dëshmojë se di të jetë opozitë shtetformuese. Vetëm ky ekuilibër mund ta çojë Kosovën drejt stabilitetit të brendshëm dhe forcimit të pozicionit të saj ndërkombëtar.



