Safit Zeqiri
Çdo verë ka aromën e rikthimit, por edhe hije të një lamtumire. Rrugët e qyteteve, e fshatrave të Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Shqipërisë u mbushën edhe këtë vit me zërin e mërgimtarëve nga Zvicra, Gjermania, Austria, Italia, Mbretëria e Bashkuar, SHBA dhe shumë vende të tjera. Ata sollën jetë, emocione, përkrahje, përkujtime dhe ekonomi të shtuar me harxhimet që i bëjnë në vendlindje, por tashmë po vjen koha e kthimit, e ku vetëm se në një vend ku mbetën të huaj, por me mallin për të ardhur përsëri. Mirëseardhja që ndryshon atmosferën fillon nga korriku deri në shtator, qendrat urbane dhe fshatrat përjetuan një bum aktivitetesh. Lokalet u mbushën përtej kapaciteteve, bizneset lulëzuan, dasmat u bënë çdo natë dhe autokolonat me vetura luksoze u shndërruan në “defile” të përditshme. Mërgimtarët nuk sollën vetëm eurot, por edhe gjallërinë sociale që mungon gjatë vitit. Sollën edhe gjallërinë në rrugët deri në orët e vona e pastaj duke përfunduar në obore e ballkone, po pse jo me një çaj për natë të mirë. “Për ne është si një festë kombëtare kur vijnë mërgimtarët”. Jo vetëm gëzim, por edhe një kujtesë e dhimbshme, megjithëse rikthimi është i ngrohtë, ai ngre pyetje që nuk duam t’i dëgjojmë: Pse shumica e të rinjve ende largohen? Papunësia, korrupsioni, mungesa e perspektivës, po këto janë arsyet që çdo përqafim veror ka edhe një hije trishtimi. Ekonomia që merr frymë falë diasporës, sipas të dhënave të fundit diaspora shqiptare tejkalojn disa miliona euro në vit, duke mbuluar një pjesë të konsiderueshme të bilancit tregtar dhe duke gjallëruar ekonominë. Koha e lamtumirës, emocione në aeroporte dhe terminale, në stacion autobusash, po edhe në fund të rrugës duke ngritur dorën larg deri në përshëndetjen e rradhës. E kjo na pret në fund të gushtit, aeroportet dhe kufijtë mbushen me sy të përlotur dhe fëmijë që nuk duan të lënë gjyshërit pas. Një skenë e njëjtë prej dekadash, premtimi i takimit verën tjetër, përqafimet e gjata, videot në rrjetet sociale me hashtag #Mirupafshim2025. “Ky moment është më i vështiri. Sapo u mësuam me njëri-tjetrin, duhet të ndahemi përsëri,” themi të gjithë me zë të mërzitur. Çfarë na pret vitin tjetër? Vera e 2025-ës po mbyllet me të njëjtën pyetje që e kemi bërë gjithmonë: A do të ndryshojë diçka deri verën e ardhshme? Do të ketë më shumë vende pune, më pak korrupsion dhe një klimë që mban rininë këtu? Apo do të vazhdojmë të presim verën vetëm për një “ngrohje të përkohshme”? Derisa kjo të ndodhë, mërgimtari do të mbetet ura më e fortë që lidh dy botë, njëra e sakrificës jashtë, tjetra e dashurisë këtu.



