BallinaNë fokusKur e vërteta bëhet luks në politikë

Kur e vërteta bëhet luks në politikë

Mr Safit Zeqiri

Në çdo shoqëri demokratike, e vërteta duhet të jetë themeli mbi të cilin ndërtohet besimi mes qytetarit dhe shtetit. Por sot, gjithnjë e më shpesh, e vërteta në politikë nuk është më standard, ajo është bërë luks. Politikanët flasin shumë, premtojnë pafund, ndërsa përgjegjësia për fjalën e dhënë mbetet gjithnjë në fund të listës së prioriteteve.

Politikanët duhet t’i thonë të vërtetën popullit. Jo një të vërtetë të paketuar bukur, jo versione gjysmake, jo realitete të deformuara për interesa elektorale, por të vërtetën e plotë, edhe kur ajo është e hidhur, edhe kur nuk sjell duartrokitje. Sepse vetëm mbi të vërtetën ndërtohet besimi, ndërsa mbi gënjeshtrën ndërtohet kriza.

Shpesh dëgjojmë se “populli nuk është gati për të vërtetën”. Ky është justifikimi më i rrezikshëm politik, e populli nuk është i mitur për t’u mbrojtur nga realiteti. Përkundrazi, qytetarët janë ata që paguajnë çmimin e çdo vendimi të gabuar, të çdo kompromisi të fshehtë dhe të çdo gënjeshtre të stërholluar në konferenca shtypi.

Kur politikanët nuk tregojnë të vërtetën për ekonominë, pasojat dalin nga xhepat e qytetarëve. Kur nuk treojnë të vërtetën për drejtësinë, pasojat i ndjen çdo familje që kërkon drejtësi dhe nuk e gjen. Kur nuk tregojnë të vërtetën për integrimet, për aleancat, për rreziqet dhe për sfidat, atëherë pasojat bëhen historike, jo vetëm politike.

E vërteta nuk e rrëzon shtetin, përkundrazi, e vërteta e shpëton shtetin. Ajo mund të rrëzojë pushtete të rreme, por i jep shoqërisë mundësinë të ecë përpara me sy hapur. Një shoqëri që ushqehet me gënjeshtra nuk mund të marrë vendime të drejta, sepse zgjedh në errësirë.

Politika nuk është teatër, edhe pse shpesh sillet si e tillë, ajo është kontratë morale mes atyre që qeverisin dhe atyre që votojnë. Kur kjo kontratë prishet, kur e vërteta zëvendësohet me propagandë, atëherë nuk kemi më krizë politike, por kemi krizë besimi dhe kjo bëhet shumë më e rrezikshme. Në fund, populli nuk ka nevojë për politikanë që dinë vetëm të flasin bukur, populli ka nevojë për politikanë që guxojnë të flasin drejt. Sepse një e vërtetë e dhimbshme sot, është më e ndershme se një gënjeshtër e bukur që na shkatërron nesër. Politikanët duhet t’i thonë të vërtetën pupullit.

Lajme te lidhura

spot_img