Presidenti turk, Rexhep Tayyip Erdogan ka paralajmëruar të martën protestuesit që të “dinë kufijtë e tyre” pas gjashtë netësh protestash masive përmes të cilave po kërkohet lirimi i kryetarit të burgosur të Stambollit, Ekrem Imamoglu.
“Rruga që ata marrin është një rrugë pa krye”, ka thënë presidenti turk.
Paralajmërimi i tij vjen pasi kreu i partisë kryesore opozitare ka vizituar Imamoglun në burg.
Imamoglu, i arrestuar më 19 mars me akuza për korrupsion, shihet si sfiduesi kryesor i sundimit 22-vjeçar të Erdoganit.
Arrestimi i tij është parë gjerësisht si i motivuar politikisht dhe ka nxitur demonstrata, disa duke u kthyer në të dhunshme, në të gjithë vendin.
Qeveria këmbëngul se gjyqësori i Turqisë është i pavarur dhe pa ndikim politik.



