Më 25 janar, nga ora 13:00, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, fillon edicioni i tretë i Festivalit Poetik të Prishtinës.
Dita e parë e Festivalit Poetik të Prishtinës do t’i kushtohet në tërësi Letërsisë Shqipe në Maqedoni, kësaj pjese integrale të letërsisë shqipe e cila pavarësisht kushtëzimeve kontekstuale, trysnisë, nëpërkëmbjes, anatemimit dhe persekutimit të vazhdueshëm nga pushtetet, nxori në pah autorë me vetëdije të lartë krijuese që na lanë trashëgimi vepra pashmangshëm referenciale për nga vlerat ideo-estetike.
Kështu, më 25 janar, Festivalin Poetik të Prishtinës do ta hapet me një Homazh artistik në nderim të poetes Lindita Ahmeti, për të vazhduar me pjesën e dytë ku do të shpaloset mendimi kritik e studimor për Letërsinë shqipe në Maqedoni dhe tutje në pjesën e tretë me Orën e madhe poetike.
Pjesë e festivalit do të jenë poetët e studiuesit: Ali Aliu, Agim Vinca, Nehas Sopaj, Punëtorie Muça Ziba, Lulzim Haziri, Shaip Emërllahu, Shazim Mehmeti, Vjollcë Berisha, Xhabir Ahmeti, Ahmet Selmani, Salajdin Salihu, Bardhyl Zaimi, Nurie Emrullai, Arlind Farizi, Fatos Rushiti, Valdeta Dulahu, Ismail Arsllani, shoqëruar nga artistët: Fitnete Tuda e Astrit Stafai.



