Pa glamur, por me shkëlqimin e një edicioni tjetër të suksesshëm, u mbyll Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër në Prizren me shpalljen e fituesve. I sivjetmi është filmi “SOS” nga Anita Morina. Tema e sivjetme nën të cilën gjithçka ka marrë emër – “Lakmi, pafund çmendi, boshllëk” – nuk qe tamam temë a koncept. Erdhi si revoltë e protestë, për luftërat dhe gjithçka që po ndodh me botën. “DokuFest” protestoi me filma dhe jo vetëm, për shkëputjen e mendjes së njeriut nga realiteti
Ka vite që “DokuFest” i lë programet e tij të flasin, në vend të deklaratave e fjalimeve, qoftë në ceremoni a në ngjarjet e tyre. Janë bërë spektatorë të punës së tyre njëvjeçare për edicionin e sivjetmë madje edhe të bashkëbisedave të regjisorëve për filmat e tyre. Pa glamur, por me shkëlqimin e një edicioni tjetër të suksesshëm, u mbyll Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër në Prizren me shpalljen e fituesve. I sivjetmi është filmi “SOS” nga Anita Morina.
Juria e përbërë nga artisti nga Prizreni, Baris Karamuco, selektori spanjoll i filmave Jose Carbera Betancort dhe kineastja iraniano-holandeze, Sara Rajaei, ka vendosur që çmimin kryesor të Festivalit ta ndajë për filmin e shkurtër artistik që shtjellon sfidat me të cilat përballen të rinjtë e Kosovës.
Filmi me regji nga Morina sjell historinë e Drinit, një i ri nga Kosova me rutinën e tij të përditshme, duke regjistruar kohën e vajtje-ardhjeve të trenit të vetëm që kalon veç çdo dy ditë në këtë stacion. Ai në bashkëbisedë me të atin, rol që e luan Shkumbin Istrefi, flet për gjendjen e shtetit si reflektim i stacionit të trenit që dikur mbushej me udhëtarë e kishte disa linja. E sot kalon andej vetëm një herë në dy ditë. Konsiderohet si punë e kotë.
Në kërkim të “punës së vërtetë”
E madje personazhe si Samiri, kolegu i Drinit, nuk e konsiderojnë punë të vërtetë atë që e bëjnë. Ai është në kërkim të një pune “të vërtetë”, siç i referohet. Konsiderohet si punë e mbledhjes së kënaçeve dhe përherë janë në pritje të ndonjë mundësie jashtë vendit.
Me largimin nga puna si rrjedhojë e zëvendësimit të tij me një radar, Drini zhytet në një krizë ekzistenciale.
Regjisorja Morina ka thënë se filmi e ka nisur mbarë me premierën botërore.
“’SOS’ ka pasur premierën botërore në ‘DokuFest’, kështu që t’ia nisë kaq mirë, kaq ëmbël, është ndjenjë shumë e mirë. Jam shumë e lumtur. ‘DokuFest’ është pjesë e madhe e jetës time. Unë jam nga Prizreni, jam rritur këtu, ‘DokuFest’ më ka rritur dhe të vlerësohem prej tyre është më shumë se prekëse”, ka thënë ajo për KOHË-n derisa ka shpjeguar narrativën e filmit të saj.
“Drini është simbol i lumturisë së thjeshtë të cilën duhet ta hulumtojmë më shumë. Është një rol që flet për shumë gjëra të vogla në jetë dhe nuk bezdiset. E punon një punë që e do shumë, por fatkeqësisht e largojnë nga puna dhe pastaj e ka një krizë identiteti prej së cilës mësojmë shumë”, ka thënë më tej regjisorja Morina.
Filmi “SOS” gjithashtu ka fituar në Forumin e Filmit të Shkurtër sa i përket produksionit e Ana Morina si regjisore me një film të shkurtër fiksion.
Çmimin ia ka ndarë ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku. Ka thënë se po flet për të fundit herë nga skena e Festivalit si ministër i Kulturës.
“Për herë të fundit nga skena e ‘DokuFest’ po flas si ministër i Kulturës. Ka qenë bashkëpunim i jashtëzakonshëm dhe desha t’ju falënderoj për gjithë punën e mirë dhe partneritetin që besoj se do të vazhdoj. Edhe me hapjen edhe me mbylljen u thye një traditë r madhe. U mbajt këtu për të herë të parë. Ka të bëjë me ‘Lumbardhin’ pasi atje ka restaurim. Qe betejë për triumfin e kinemasë. Rroftë kinemaja”, ka thënë Çeku.
Ka bërë apel për t’i ditur vlerat e “DokuFestit”.
Po bëj apel ndonëse jo me qejfin më të madh: dijani vlerën ‘DokuFestit’, sepse tashmë nuk është veç një organizim i disa njerëzve, por është vetë qyteti. Dhe e dyta, sepse është ngjarja më e rëndësishme që ndodhë në qytetin tonë. Është shumë me rëndësi të dihet vlera e tij, sepse kush nuk ia di, e pëson vetë”, ka thënë ai nga skena e Festivalit në “Kino Lumi”. Tërthorazi ka ngjarë si një apel për qeverinë lokale, meqenëse sivjet organizatorët janë ankuar për përkrahje jo të duhur nga Komuna e Prizrenit.
Para se të shpallet fituesi i sivjetmë, në skenë është vlerësuar se kinematografia vendore vit pas viti po e rrit me krenari standardin dhe prezencën e filmave të Kosovës në skenën ndërkombëtarë.
Në garë për çmimin kryesor sivjet kanë qenë filmat: “I had white cotton in my yard, I fed it, I watered it” nga Endi Tupja dhe Klodiana Millona, “Hyjnesha në fron” nga Durim Klaiqi, “Mos parko” nga Zana Radogoshi, “Fluturat” nga Astrit Ismaili, “SOS” nga Anita Morina, “Mua besoj më shpëtoj portreti” nga Alban Muja, “Fatbardha” nga Kitty Kentezi dhe “Mama Klorin” nga Doreida Xhogu.
Gjithashtu edhe filmat “Pesë stinët e fëmijërisë sime” i Besim Ugzmajlit, “Ndera” i Endrit Qarollit, “Ben’s Birthday” i Robert Deçanit, filmi “Në parajsën socialiste (Nuk bie shi)” i Ermela Telit dhe “The Rabbit is Dead” i Hanis Bagashov.
Ëndrra për modernizimin e Turqisë
Çmimin e kategorisë “Balkan Dox” e ka marrë filmi “A strange colour of dream” nga turkja Yasemin Akinci, që flet për ëndrrën e modernizmit të Turqisë.
“Ndërsa ngrihen ndërtesa të reja, hendeku midis imagjinatës së tij dhe realitetit zgjerohet, duke reflektuar tensionet midis kujtesës, harresës, ëndërrimit dhe shkatërrimit”, shkruhet për këtë film.
“Ishte kënaqësi të isha atje, u ndjeva shumë mirë. Besoj se transmetimi i historive dhe kujtimeve tona është formë e fuqishme e rezistencës. Dua të falënderoj jurinë që me zgjedhjen e tyre e kanë përforcuar këtë kujtim”, ka thënë regjisorja nëpërmjet një videomesazh.
E mirënjohje speciale në këtë kategori ka marrë Stefan Malesheviqi për filmin e tij “Soil and Wings”.
“Është filmi im i dytë i gjatë dhe ishte viti i dytë në ‘DokuFest’. Është nder kjo njohje, por ndihet veçanërisht për këtë film. Ka të bëjë me të gjitha fetë në Maqedoninë e Veriut. Njëjtë si ‘DokuFesti’ qytet i tolerancës. Do të doja të isha me ju, por është kënaqësi të përjetoja Festivalin në ‘Kino Lumi’”, është shprehur ai para se të falënderojë në shqip.
Çmim në kategorinë “Balkan Short Dox” ka marrë filmi “Merging Bodies” nga Adrian Paci. Filmi eksploron lidhjen midis trupave të punëtorëve dhe u bën homazh vlerave të punës.
“Ndihem i nderuar ta pranoj këtë çmim nga ‘DokuFest’, nga ky festival i mrekullueshëm. I falënderoj për ftesën anëtarët e jurisë, por nuk do të humb rastin të falënderoj bashkëpunëtorët në projekt”, ka thënë ai derisa ka përmendur me rend anëtarët e ekipit të filmit.
Ai ka falënderuar Festivalin nëpërmjet një video-mesazhi.
Mirënjohje speciale në këtë kategori ka marrë filmi “Antigona” nga Ibër Deari dhe Mirsad Abazi. Kjo kategori ka qenë risia e edicionit të sivjetmë që ka ardhur si rrjedhojë e potencialit të filmit të shkurtër dokumentar.
“Jemi shumë të lumtur të jemi në ‘DokuFest’, kemi parë shumë fikma dhe kemi parë shumë filma të mirë. Ky çmim i dedikohet Antigonës dhe shumë Antigonave që kanë guxim”, ka thënë Deari pasi ka pranuar Mirënjohjen.



