BallinaLAJMEBOTAZelenski: Duhet t’i bëjmë presion Rusisë - Putini nuk kupton asgjë tjetër...

Zelenski: Duhet t’i bëjmë presion Rusisë – Putini nuk kupton asgjë tjetër përveç forcës dhe presionit

Ukraina duhet të kalojë nga mbrojtja kundër sulmeve ruse në ofensivë për të “ushtruar presion mbi Rusinë”, tha mbrëmë presidenti ukrainas Volodimir Zelenski.

“Kjo luftë duhet të përfundojë dhe ne duhet të ushtrojmë presion mbi Rusinë”, tha ai në video fjalimin e tij.

“Presidenti rus Vlladimir Putin ‘nuk kupton asgjë tjetër përveç forcës dhe presionit'”, shtoi ai.

Komentet e Zelenskit vijnë pasi presidenti amerikan Donald Tramp i cili kërkon t’i japë fund luftës, postoi në rrjetin e tij social “Truth social” se “është shumë e vështirë, nëse jo e pamundur, të fitosh një luftë pa sulmuar vendin e agresorit”.

Kievi vitin e kaluar nisi një kundërsulm të madh në rajonin Kursk të Rusisë, por sulmi dështoi për shkak të mbrojtjeve të thella ruse.

Ditëve të fundit, forcat ukrainase kanë nisur një kundërsulm, përfshirë një në rajonin verilindor të Sumit dhe afër qytetit Pokrovsk, duke e shndërruar përsëri qendrën e Donjeckut në një skenë luftimesh të ashpra midis forcave ruse dhe ukrainase.

Deri mbrëmë, Shtatmadhoria e forcave ukrainase në Kiev kishte raportuar gjithsej 24 përplasje ushtarake.

“Megjithatë, këtë herë nuk kanë qenë rusët, por ukrainasit që kanë nisur ofensivën”, shkroi Shefi i Shtatmadhorisë Oleksandër Sirski në Telegram, duke shtuar se gjashtë vendbanime ishin rimarrë.

“Pavarësisht epërsisë numerike të armikut, njësitë e Forcave të armatosura dhe Gardës kombëtare të Ukrainës po i kryejnë detyrat e tyre me nder”, shkroi ai.

“Së bashku me operacionet ushtarake, Ukraina ende dëshiron të negociojë dhe të arrijë paqen”, ka thënë mes tjerash Zelenski.

Sipas ministrit për Punë të Jashtme të Rusisë, Sergej Lavrov, anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit përfshirë Rusinë, duhet të jenë garantues të paqes. Meqenëse Rusia mund të bllokojë vendosjen e trupave në çdo kohë në atë skenar, Kievi nuk dëshiron ta ketë në konsideratë këtë opsion.

Lajme te lidhura

spot_img