Presidenti amerikan, Donald Tramp deklaroi se “SHBA-ja ndoshta do të kthehet në Kubë” pasi të “përballet me Iranin”.
Ai u tha gazetarëve se shumë qytetarë amerikanë me prejardhje kubaneze ishin “trajtuar shumë keq” dhe se shumë nga familjet e tyre ishin vrarë ose rrahur, transmetoi BTA.
“Kuba është një shtet i dështuar”, tha Trampi, duke shtuar se ishulli i Karaibeve “u sundua në mënyrë të tmerrshme për shumë vite” nga revolucionari komunist Fidel Kastro.
Presidenti kubanez Migel Diaz-Kanel paralajmëroi dje Uashingtonin që të mos e përshkallëzojë konfliktin midis dy vendeve në një konfrontim ushtarak.
“Nëse kjo ndodh, do të ketë luftime”, tha Diaz-kAnel, duke shtuar se vendi nuk dëshiron luftë.
Trampi ka kërcënuar vazhdimisht se do të marrë masa më të rrepta kundër Kubës dhe ka folur hapur për mundësinë e “marrjes së kontrollit” të ishullit.
Në mars, Kuba konfirmoi se po zhvillonte bisedime me SHBA-në me qëllim uljen e tensioneve në marrëdhëniet.



