Presidenti amerikan Donald Trampi njoftoi mbrëmë vazhdimin e armëpushimit midis Izraelit dhe Libanit për tre javë.
Vendimi për vazhdimin e “armëpushimit” midis Izraelit dhe grupit militant Hezbollah në Liban u mor gjatë një takimi të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë nga ana e ambasadorëve izraelitë dhe libanezë në ShBA.
Ky ishte takimi i dytë midis përfaqësuesve nga të dy vendet që nga java e kaluar. Armëpushimi origjinal 10-ditor që i dha fund luftimeve midis Hezbollahut dhe grupit militant Hezbollah, i cili hyri në fuqi të premten e kaluar, do të skadonte të hënën.
Në bisedë me gazetarët në Zyrën Ovale me pjesëmarrësit në takimin e mbrëmshëm, Trampi tha se shpresonte që liderët e Izraelit dhe Libanit të takohen gjatë armëpushimit shtesë trejavor të armiqësive. Trampi tha se pritet që presidenti libanez Xhozef Aun dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu ta vizitojnë Shtëpinë e Bardhë në javët e ardhshme, ndërsa ShBA përpiqet të ndërmjetësojnë një marrëveshje paqeje të qëndrueshme.
Ambasadorja libaneze në ShBA, Nada Movad, e cila erdhi në takim për të kërkuar vazhdimin e armëpushimit, falënderoi Trampin për mikpritjen e bisedimeve.
“Mendoj se me ndihmën dhe mbështetjen tuaj, mund ta bëjmë Libanin përsëri të madh”, tha ajo.
Ambasadori izraelit në ShB, Jehiel Lajter, tha se vendi i tij dhe Libani “nuk kanë qenë kurrë më afër sesa janë sot”. Lajteri falënderoi Trampin dhe nënpresidentin Xhej Di Vens që e bënë të mundur këtë.
“Do të vazhdojmë të punojmë për paqen. Të shpresojmë ta arrijmë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ambasadori izraelit.
Trampi përsëriti se ShBA vazhdon të kërkojnë që Irani të ndërpresë mbështetjen e tij për grupet që veprojnë në emër të tij në Lindjen e Mesme, përfshirë edhe Hezbollahun në Liban.
Më vonë shkroi në profilin e tij në Tuiter se takimi midis përfaqësuesve izraelitë dhe libanezë kishte shkuar “shumë mirë” dhe se “ShBA do të bashkëpunojnë me Libanin për t’i ndihmuar ata të mbrohen nga Hezbollahu”.



