I takon votuesit a ka mbamendje të gjatë ose të shkurtër dhe a do t’u besojë veprave apo PR-it. Dhe duhet të jemi edhe mirëkuptueshëm: zor është të jesh gjithnjë origjinal, prandaj kemi jo vetëm PR-e por edhe platforma politike që shpesh ngjajnë si veja me venë
Nga Daut DAUTI
Rama+Maduro=Ramaduro! Sigurisht e keni dëgjuar Sali Berishën ta përdorë nofkën “Ramaduro” për rivalin e tij hidhnak, Edi Ramën. Berisha deri tash nuk ka treguar afinitete letrare si disa shokë e bashkëpunëtorë të tij të afërt (Arbnori, Gazidede, Leshanaku…), por në paraqitjet e tij publike, shpesh përdor epitete që mund t’i sajojë dikush që ka afinitete për “figurshmëri” letrare me plot ironi e sarkazma.
Gjuha e vrazhdë është pjesë e debatit politik jo vetëm në Shqipëri, por gjithandej nëpër botë, ku më butë, e ku më vrazhdë, mirëpo rrallë kund do ta gjesh aq të ulët si nivel komunikimi, i cili si duket degradon ndoshta jo vetëm nga afinitetet personale, por dhe si pjesë e PR-strategjisë! Sepse, strategët e marketingut politik, ndoshta preferojnë që “nxënësit” e tyre t’i shtyjnë të flasin me gjuhën që “e kupton” pjesa dërrmuese e elektoratit, ose, ashtu duan ta edukojnë, sikur kur komunikon në kafene a rrugë, kur nuk i mat fjalët!
Ndaj, kemi rastin që pasi Rama përdori ofendimin “gomerë” Berisha do ta quajë Ramën “të tredhur”, kurse gjatë fushatës së fundit, shprehja më e shpeshtë fyese për Berishën do të jetë “buf i kënetës”. Arsenali ofendues i ndërsjellë ka qenë tepër “i pasur” dhe “origjinal”.
Por, çka më bëri përshtypje këto ditë në emisionin “Xhadat” në TV MCN, që në një farë mënyre i jep “të drejtë” Berishës kur Ramën e quan Ramaduro? Nuk është diçka që lidhet me ideologjinë e njërit (majtistit Ramaduro të Veneuelës, një pasardhës i komunistit Hugo Çaves), por pikërisht PR-i i njërit dhe tjetrit. Është pikërisht mënyra e komunikimit përmes medias dhe rrjeteve sociale, që këta dy i bën tepër të ngjashëm në mënyrë të habitshme. Ekipi i gazetarëve të emisionit “Xhadat” i kishte sjellë me film ngjashmëritë frapante: Që të dytë kanë podkast ku ata tregojnë edhe shkathtësi gazetareske për të komunikuar me publikun dhe bashkëbiseduesit. Si për një jo rastësi, Maduro sjell në podkastin mysafir një këngëtar dhe një këngëtare, kurse të njëjtën e bën edhe Rama! Bile edhe mysafirët ishin të ngjashëm edhe për nga dukja. Maduro del në mesin e popullit dhe vallëzon, këtë e bën edhe Rama dhe që të dytë dinë të aktrojnë kur flasin me ndonjë bashkëbisedues të turmës që e veçojnë për ta kapur kamerat! Kur Berisha e krahason Ramën me Maduron, patjetër se e ka për të bërë paralele për pikëpamjet ideologjike të tyre dhe për “pushtetin diktatorial” që u shkon majtistëve të kohëve të shkuara. Për hir të së vërtetës, në kohën më të re, çështja e kontrollit absolut të shoqërisë nuk është vetëm ekskluzivitet i pushtetarëve të Shqipërisë. Nga të kthehemi kemi të tillë.
Prej nga kjo ngjashmëri enigmatike? A mos vallë kanë angazhuar të njëjtën kompani PR-i e cila i shet të njëjtat “fore” si në Amerikë, si në Evropë, Azi apo gjetkë? Apo ka lidhje me strategjinë e Sorosit, siç i është bërë obsesion Berishës?! Dhe ku të dish, mund të ketë të vërtetë. Para zgjedhjeve të vitit 2004 në Maqedoni, Instituti Shoqëria e Hapur (pra, Fondacioni Soros), imponoi një moto opozitare kundër qeverisjes së VMRO-së: “Mjaft më!” Me të njëjtën moto(MJAFT MË), doli edhe në Shqipëri kundër pushtetit të Berishës lëvizja e Erion Veliajt, atëherë ende aktivist qytetar,por gjithsesi, pulën i Sorosit.
Ndonjëherë mund të jetë burimi i njëjtë, e ndonjëherë imitimi i ndonjë fushate të dikujt tjetër. Kështu kah mesi i viteve ‘90-të Petar Goshevi u akuzua se në fushatë e përdori moton e vjedhur “Me duar të pastra” nga një parti e Serbisë! (Mund të jetë analogji e një kënge të Leonora Jakupit që tingëllonte njësoj me një këngë të një këngëtareje serbe dhe doli se nuk ka vjedhje nga njëra tjetra, porse ua kishte bërë këngën i njëjti kompozitor maqedonas!)
Te të gjithë tashmë mbisundon mendimi se më shumë se vetë puna, duhet të flasë PR-i. “Blerja” e medias me ndikim, është forma më klasike e marketingut, blerja e opinionistëve po ashtu. Por një formë manipulimi, gjoja për t’ua lehtësuar mediumeve informimin nga aktivitetet politike, janë incizimet që i bëjnë vetë partitë me ekipet e tyre për t’ua dhënë të gatshme gazetarëve, për çka në do zgjedhje të kaluara në Shqipëri gazetarët nisën t’i bojkotojnë.
Duhet thënë se subjektet politike ecin në hap me kohën dhe ato që me kohë e kanë kuptuar ndikimin e rrjeteve sociale, ndaj që nga udhëheqësit më të lartë, e gjer te aktivistët më të ulët, madje dhe simpatizantë të flaktë, janë aktivë në facebook, twiter, instagram, e viteve të fundit edhe në tik-tok. Është interesante sidomos akuza e Berishës nda Edi Ramës me ndalimin e rrjetit të tik-tokut, se ai kështu dëshiron ta ndalojë mendimin e lirë.
Kur jemi te rrjetet sociale aty në shërbim të PR-it bëhen edhe “dallavere” të tjera, siç është ajo me pëlqimet. Që të tregojnë se sa i do populli, përveç mobilizimit të anëtarësisë që të japin komente pozitive, subjektet i sponsorojnë pëlqimet, sepse këtë mjet e kuptojnë si një anketë në sytë e qytetarëve.
Ka edhe më origjinalë. Opinionisti i njohur Halil Matoshi, kishte nxjerrë në facebook një shembull ku LVV-ja, kishte bërë retushimin e një fotografie të një aksioni të përbashkët me KFOR-in. Në njërën fotografi shiheshin veturat e policisë së Kosovës bashkë me ato të KFOR-it, që duhej të ishte fotoja origjinale, ndërkaq në foton tjetër, të retushuar, sipas autorit, ishin fshirë veturat e KFOR-it, që gjithë meritat t’i ndante policia e Kosovës. (Jo për diçka, po kështu kishte vepruar edhe Enver Hoxha, i cili nga shumë foto i kishte fshirë nacionalistët ose të persekutuarit e mëvonshëm!
Partitë tona dinë edhe të harrojnë. Kështu, siç shkruajti një portal, vuri në dukje se si kryetari i komunës së Tetovës, Kasami, e imitoka Grubin me organizimin e koncerteve për t’iu vardisur të rinjve, ndërkaq për këtë gjë ai e kishte kritikuar Grubi dikur. Për publikun e gjerë si pjesë PR-i janë edhe afirmimi i ndonjë tipari të politikanit, si vishet, si sillet… Nëse Rama vishet si një artist i lazdruar holivudian, me “shallvare”, “patika”, Berisha do vera, kur ishte kryeministër, thyente rekorde duke ndenjur me orë në ujë, e diçka ngjashëm vepronte edhe Ilir Meta, me ato akrobacionet zbavitëse në Dajti!
PR-i, origjinal ose i kopjuar prej dikujt tjetër, përherë ka një qëllim: të promovojë veten në dritë më shkëlqyese se sa që i ka veprat, të kritikojë oponencën edhe pse kur vjen vetë në të njëjtën pozitë vepron njësoj.
E tash, i takon votuesit a ka mbamendje të gjatë ose të shkurtër dhe a do t’u besojë veprave apo PR-it. Dhe duhet të jemi edhe të sinqertë dhe të mirëkuptueshëm: zor është të jesh gjithnjë origjinal, prandaj kemi jo vetëm PR-e por edhe platforma politike që shpesh ngjajnë si veja vesë.
/KOHA/



