Ka përfunduar fushata zgjedhore për raundin e dytë të Zgjedhjeve Lokale 2025, dhe në mesnatë ka nisur periudha e heshtjes zgjedhore para votimit që do të zhvillohet të dielën, më 2 nëntor. Në këtë raund do të votohet për kryetarë komunash në 32 komuna dhe në Qytetin e Shkupit, por heshtja zgjedhore vlen për të gjithë territorin e vendit.
Rregullat për heshtjen zgjedhore janë në fuqi nga 1 nëntori deri më 2 nëntor në orën 19:00. Gjatë kësaj kohe, mediat mund të raportojnë për procesin zgjedhor, por ndalohet çdo formë e paraqitjes mediatike të pjesëmarrësve në fushatë.
Sipas Kodit Zgjedhor, shkelje e heshtjes zgjedhore konsiderohet publikimi i çfarëdo informacioni, fotografie, materiali audio ose audiovizual që lidhet me apo përfshin pjesëmarrës në zgjedhje; çdo formë raportimi që hapur ose fshehurazi mund të ndikojë tek vendimi i votuesve; publikimi i të dhënave që zbulojnë identitetin e subjekteve politike apo individëve të përfshirë në incidente gjatë ditës së votimit; si edhe deklaratat nga kandidatët, përfaqësuesit e partive politike ose bartësit e funksioneve publike.
Zgjedhjet Lokale 2025 janë të tetat që prej pavarësisë së shtetit dhe të katërtat në të cilat zgjidhen kryetarë komunash dhe këshilla komunalë në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit.
Në raundin e dytë do të votohet për kryetar komune në Shkup dhe në komunat Aerodrom, Bogovinë, Brvenicë, Valandovë, Vinicë, Dibër, Debarcë, Demir Kapi, Karposh, Kërçovë, Konçe, Koçan, Krushevë, Kumanovë, Lozovë, Makedonska Kamenicë, Makedonski Brod, Mogillë, Negotinë, Probishtip, Rankovcë, Rosoman, Strugë, Studeniçan, Tetovë, Qendër, Çeshinovë-Obleshovo, Çuçer-Sandevë, Shuto Orizarë, Dollneni, Dojran dhe Zrnovcë.
Në kryeqytet, në komunat Qendër, Aerodrom dhe Karposh, qytetarët do të votojnë me dy fletëvotime – për kryetarin e Qytetit të Shkupit dhe për kryetarin e komunës përkatëse. Në Shuto Orizarë, në tre vendvotime do të zhvillohet edhe rivotim për këshilltarë, krahas zgjedhjes së kryetarit të komunës. Në komunat e tjera do të votohet vetëm për kryetar komune.



