Hungaria është anëtarja e vetme e Bashkimit Evropian që nuk e firmosi deklaratën e përbashkët për mbështetje të Ukrainës, dokumenti i nënshkruar nga 26-të vendet tjera anëtare, që kërkon nga Ukraina të marrë pjesë në vendimmarrjen për të ardhmen e tyre.
Hungaria kohë të gjatë ka pasur marrëdhënie të tensionuara me Ukrainën dhe pjesën tjetër të BE-së dhe është aleati më i afërt i Vladimir Putinit në Evropë. Kryeministri Viktor Orban paraprakisht njoftoi se inkuadrimi i Ukrainës në BE “menjëherë do ta tërheqë Unionin në një konflikt të drejtpërdrejtë”.
Në mëngjes ai i theksoi arsyet pse nuk e ka nënshkruar deklaratën: “Ajo deklaratë bën përpjekje të vendosë kushte për takimin në të cilin liderët e BE-së nuk ishin ftuar”.
“Është mjaft keq që BE-ja është lënë mënjanë. E vetmja gjë që mund të jetë më keq është nëse fillojmë të japim udhëzime nga kolltuku”, shkroi ai.
Orban beson se “e vetmja lëvizje e arsyeshme nga udhëheqësit e BE-së është të iniciojnë një samit midis BE-së dhe Rusisë, të modeluar sipas takimit midis SHBA-së dhe Rusisë”.
Kjo nuk është hera e parë që Orban të kundërshtohet në qëndrimin e përbashkët të BE-së për Ukrainën. Hungaria paraprakisht kontestoi vendosjen e sanksioneve evropiane kundër Rusisë, por në fund kishte hequr dorë, ndërsa gjithashtu refuzoi të nënshkruajë disa deklarata paraprake për mbështetje të Ukrainës.



