BallinaLAJMENë Shkup shënohet 102 vjetori i themelimit të Republikës së Turqisë

Në Shkup shënohet 102 vjetori i themelimit të Republikës së Turqisë

Me një pritje solemne në rezidencën e Ambasadës turke në Shkup, mbrëmë është shënuar 102 vjetori i themelimit të Republikës së Turqisë.

Në ngjarjen morën pjesë përfaqësues të lartë të jetës politike dhe shoqërore në Maqedoninë e Veriut, mes të cilëve kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, zëvendëskryeministri dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, ministra, deputetë, kryetarë të komunave, si dhe përfaqësues të organizatave dhe institucioneve nga të dy vendet.

Ceremonia filloi me këndimin e himneve kombëtare të Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Në fjalimin e tij, ambasadori i Turqisë në Shkup, Fatih Ulusoj, falënderoi të pranishmit dhe përcolli përshëndetjet e presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan. Ai kujtoi se Republika e Turqisë u themelua 102 vjet më parë dhe theksoi përparimin e arritur në çdo fushë që atëherë.

“Që nga themelimi i Republikës, vendi dhe kombi ynë kanë bërë përparim të madh në çdo fushë. Turqia është anëtare e OKB-së, NATO-s, OECD-së dhe G20-ës, si dhe një vend kandidat për në Bashkimin Evropian. Ajo luan një rol aktiv në politikën e jashtme, ndërmjetësimin, industrinë e mbrojtjes, ndihmën humanitare dhe zhvillimin ndërkombëtar, duke kontribuar për paqen botërore”, tha Ulusoj.

Duke theksuar marrëdhëniet e ngushta midis dy vendeve, ai shtoi se Turqia dhe Maqedonia e Veriut janë të lidhura përmes lidhjeve të forta midis dy popujve.

Në pritje u lexua edhe mesazhi i presidentit Erdogan me rastin e 29 tetorit, Ditës së Republikës.

Si pjesë e festimeve, Ambasada e Turqisë në Maqedoni, në bashkëpunim me Zyrën e Atasheut për Kulturë dhe Promovim dhe Shoqatën e organizatave joqeveritare turke në Maqedoni (MATUSITEB) dhe me mbështetjen e Shoqatës së esnafëve të Shkupit, më herët gjatë ditës organizoi një shëtitje dhe program kulturor në Çarshinë e Vjetër të Shkupit.

Lajme te lidhura

spot_img